Jobi 10

Jobi përçmon jetën e vet

«Më është velur jeta!

Do ta shfryj ankimin tim,

do të flas me shpirt të hidhëruar.

Do t’i them Perëndisë: mos më ndëshko!

Më trego pse po më gjykon!

Të duket mirë të më shtypësh,

të përbuzësh punën e duarve të tua

e të përkrahësh synimet e të paudhëve?

Mos vallë ke sy prej mishi

e sheh siç shohin njerëzit?

A janë ditët e tua si ditët e njerëzve

e vitet e tua si moti i vdekatarëve,

që heton fajin tim

e shqyrton mëkatin tim,

edhe pse e di se nuk kam faj

e s’ka shpëtim prej dorës sate?

Duart e tua më bënë e më krijuan,

por ti më rrënon nga të gjitha anët.

Kujtohu, pra, se si baltën më punove.

A do të më kthesh sërish në pluhur?

10 A nuk më pikove si qumështin

e nuk më zure si djathin?

11 Ti më veshe me lëkurë e me mish,

ti më thure me eshtra e me deje.

12 Më dhurove jetën e mirësinë,

kujdesi yt ma ka ruajtur shpirtin.

13 Por këto i fshihje në zemër,

e di se kështu mendoje.

14 Nëse mëkatoj, më shikon

e nuk rri pa e ndëshkuar fajin tim.

15 Nëse jam i paudhë, mjerë unë!

Por edhe po të jem i drejtë,

nuk e ngre dot kokën,

se më mbuloi turpi e shoh veç pikëllim.

16 Po ta ngre kokën, më mësyn si luan,

kthehesh e kryen çudira kundër meje.

17 Nxjerr para meje dëshmitarë të rinj,

e shton zemërimin tënd me mua,

i përtërin ushtritë kundër meje.

18 Po përse më nxore nga barku i nënës?

Të kisha vdekur pa më parë kush me sy!

19 Do të kisha qenë si të mos isha,

i bartur nga barku në varr.

20 A nuk firojnë ditët e jetës sime?

Më lër të gëzoj pak,

21 para se të nisem për të mos u kthyer

në dheun e territ e të terratisjes,

22 në dheun e errësirës së thellë e të rrëmujës,

ku edhe agu është si zymtësia».