Jeremia 9

«Kush do të më japë në shkretëtirë

një bujtinë udhëtarësh?

Do ta braktisja popullin tim e do të ikja prej tij,

se janë të tërë kurorëshkelës,

një mori tradhtarësh.

E ndehin gjuhën porsi hark,

mashtrimi e jo besnikëria përtërihet mbi tokë,

se bëjnë ligësi pas ligësie

e mua nuk më njohin, kumton Zoti.

Secili duhet të ruhet nga i afërti i vet,

as te vëllai mos kini besim,

se çdo vëlla mashtron prore,

çdo i afërt shkon duke shpifur.

Secili e mashtron të afërtin

e nuk thotë të vërtetën.

E kanë ushtruar gjuhën për të gënjyer,

u këputën duke bërë ligësi.

Banojnë në mes të mashtrimit

e për shkak të mashtrimit

s’pranojnë të më njohin,

kumton Zoti.

Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive:

ja, do t’i spastroj e do t’i sprovoj,

se si duhet të sillem me bijën e popullit tim?

Shigjetë therëse është gjuha e tyre,

me mashtrim flet goja e tyre.

I urojnë paqen të afërtit, por me mend i ngrenë kurth.

Mos vallë s’do t’i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti.

Mos vallë s’do të hakmerrem me një komb si ky?

Mbi male do ta ngre gjëmën e vajin

e në kullotat e shkretëtirës ankimin,

se janë të shkreta, askush nuk i përshkon

e nuk dëgjohet britma e bagëtisë,

që nga zogjtë e qiellit deri te bagëtitë

shkuan e vanë.

10 Do ta kthej Jerusalemin në një grumbull gurësh,

në strofkë çakejsh.

Qytetet e Judës do t’i bëj djerrinë,

se do të mbesin pa banorë.

11 Cili njeri i urtë e kupton këtë?

Kujt i foli goja e Zotit, që ta shpallë?

Pse është rrënuar toka,

si një shkretëtirë ku nuk kalon askush?

12 Thotë Zoti: meqë e braktisën ligjin që u parashtrova dhe nuk e dëgjuan zërin tim e nuk e ndoqën, 13 por ndoqën zemërngurtësinë e vet dhe Baalët, siç i kishin mësuar etërit e tyre, 14 prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do ta koj këtë popull me pelin dhe do t’i jap të pijë ujë të helmuar. 15 Do t’i shpërndaj nëpër kombe, të cilat nuk i kanë njohur as ata, as etërit e tyre dhe do t’u dërgoj shpatën që t’i ndjekë derisa t’i kem shfarosur. 16 Kështu thotë Zoti i ushtrive: vini re! Thirrni vajtueset të vijnë! Thirrni më të zonjat të vijnë».

17 «Të nxitohen, t’ia nisin vajit mbi ne,

që sytë tanë të derdhin lot

e qepallat tona të rrjedhin çurg,

18 se një zë vajtimi dëgjohet në Sion:

“Si u rrënuam! Turp për ne, se e braktisëm vendin

e i shembën banesat tona”.

19 Dëgjojeni, o gra, fjalën e Zotit,

ta pikasë veshi juaj fjalën e gojës së tij

që t’u mësoni vajtimin bijave tuaja

dhe gratë kujën njëra-tjetrës.

20 Se vdekja u kacavar në dritaret tona,

u fut në pallatet tona,

për t’i këputur foshnjat nëpër rrugë,

të rinjtë nëpër sheshe.

21 Shpall! Kështu kumton Zoti:

do të bien kufomat njerëzore

si plehu përmbi ara,

si duajt pas korrtarit, që s’ka kush i mbledh.

22 Kështu thotë Zoti:

të mos mburret i dituri me diturinë e vet,

të mos mburret i forti me forcën e vet,

të mos mburret i pasuri me pasurinë e vet!

23 Por nëse mburret, le të mburret me këtë: se është i mençur e më njeh, se jam Zoti që vepron me dashuri, me të drejtë e drejtësi mbi tokë, se këto më pëlqejnë, kumton Zoti24 Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do t’i ndëshkoj të gjithë të rrethprerët në lafshë, 25 Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, të Moabit, si edhe të gjithë ata që banojnë në shkretëtirë me tëmtha të qethur, se të gjitha kombet janë të parrethprera, ndërsa mbarë shtëpia e Izraelit është e parrethprerë në zemër».