Jeremia 51

Kështu thotë Zoti:

«Ja, do të ngre kundër Babilonisë

e kundër banorëve të Kaldesë

një erë shkatërrimtare.

Do të çoj në Babiloni shoshitës,

që ta shoshitin

e do ta zbrazin tokën e saj,

se nga të gjitha anët

do t’i sulen

në ditën e zezonës.

Harkëtari të mos e ndehë harkun

e të mos krekoset me mburojë.

Mos i kurseni të rinjtë e saj,

shfaroseni tërë ushtrinë e saj».

Do të bien të therur në tokën e kaldenjve,

të shpuar nëpër rrugët e saj,

se nuk është harruar Izraeli, as Juda,

nga Perëndia i tyre, Zoti i ushtrive,

por toka e kaldenjve është plot fajësi

kundrejt të shenjtit të Izraelit.

Ikni nga mesi i Babilonisë,

secili të shpëtojë veten,

mos u rrënoni për faj të saj,

se kjo është koha e hakmarrjes së Zotit,

plotësimi i shpërblimit të saj.

Babilonia ishte gotë e artë në dorën e Zotit,

që dehte tokën mbarë,

prej verës së saj pinë kombet,

prandaj kombet u dalldisën.

Papritur, Babilonia ra e u thye,

vajtoni për të,

merrni balsam për dhimbjen e saj,

ndoshta mund të shërohet.

E kemi mjekuar Babiloninë,

por nuk u shërua.

Braktiseni e le të shkojmë

secili në dheun e vet,

se gjykimi i saj mbërriti në qiell,

u ngrit gjer në re.

10 Zoti na e nxori të drejtën,

ejani, le ta tregojmë në Sion

veprën e Zotit,

Perëndisë tonë.

11 Mprihni shigjetat,

vishni parzmoret.

Zoti ua ka trazuar shpirtin mbretërve të Medës, se qëllimi i tij kundrejt Babilonisë është ta shkatërrojë, se kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja për tempullin e tij.

12 Ngrini një flamur drejt mureve të Babilonisë,

përforcojeni rojën,

caktoni rojtarë,

përgatitni pritat,

se Zoti e mendoi dhe e zbatoi çfarë pati thënë

për banorët e Babilonisë.

13 O ti që banon ndanë ujërave të shumtë,

me thesare të begata,

të erdhi fundi,

po të këputet filli.

14 Zoti i ushtrive u betua për veten e vet:

do të të mbush me njerëz si me karkaleca

e ata do të këndojnë mbi ty këngën e fitores.

15 Ai e bëri tokën me fuqinë e vet,

e themeloi botën me urtinë e vet,

i shtriu qiejt me mençurinë e vet.

16 Kur e nxjerr zërin, trazohen ujërat në qiell

dhe i ngre avujt nga skajet e dheut.

Ai i bën vetëtimat e shiut

dhe e nxjerr erën nga qilarët e vet.

17 Marroset çdo njeri, pa marrë vesh,

turpërohet çdo farkëtar për shkak të idhujve,

se është e gënjeshtërt shkrirja e tij

e nuk ka frymë në të.

18 Janë kotësi, vepra qesharake.

Në kohën e ndëshkimit të tyre, do të shkatërrohen.

19 Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit,

se ai i dha trajtë gjithçkaje,

Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij,

Zot i ushtrive është emri i tij.

Vajtimi mbi Babiloninë

20 Çekan je ti për mua, mjet lufte,

me ty i thërrmoja kombet,

me ty i shkatërroja mbretëritë.

21 Me ty thërrmoja kalë e kalorës,

me ty thërrmoja karrocë e kalorës,

22 me ty thërrmoja burrë e grua,

me ty thërrmoja plak e të ri,

me ty thërrmoja djalosh e vashëz,

23 me ty thërrmoja bari e grigjë,

me ty thërrmoja bujkun bashkë me qetë,

me ty thërrmoja prijës e qeveritarë.

24 Por do t’ia kthej, para syve tuaj, Babilonisë dhe të gjithë banorëve të Kaldesë, të gjithë ligësinë që bënë në Sion, kumton Zoti.

25 Ja ku më ke, o mali i rrënimit, kumton Zoti,

ti që e rrënon mbarë tokën.

Do ta shtrij dorën kundër teje,

do të të rrokullis nga thepat

e do të të bëj mal të shkrumbuar.

26 Asnjë gur nuk do të nxirret prej teje për qoshe,

asnjë gur për themele,

por do të jesh shkretim i përhershëm,

kumton Zoti.

27 Ngrini një flamur në vend,

bini bririt mes kombeve,

përgatituni për luftë kundër saj,

thirrni kundër saj mbretëritë,

Araratin, Miniun e Ashkenazin,

caktoni kundër saj një udhëheqës,

sillni kuajt si luzmë karkalecash.

28 Përgatitni kombet kundër saj,

mbretërit e Medës me prijësit e mbarë qeveritarët,

mbarë vendet e mbretërisë së tij.

29 Dridhet toka e gulçon,

se u plotësuan kundër Babilonisë shestimet e Zotit,

për ta kthyer tokën e Babilonisë në shkretim,

në vend të pabanuar.

30 Luftëtarët e Babilonisë kanë reshtur së luftuari,

rrinë në fortesat e veta,

i ka lënë fuqia,

janë bërë si gra,

janë djegur banesat e tyre,

janë thyer shulat e tyre.

31 Lajmëtari has në lajmëtar,

njoftuesi has në njoftues,

për ta njoftuar mbretin e Babilonisë

se ky qytet u mor nga çdo anë.

32 I janë zënë vatë,

i janë djegur kallamishtet me zjarr,

luftëtarët janë tmerruar.

33 Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit:

bija e Babilonisë është porsi lëma

në kohën e shirjes,

edhe pak e do t’i vijë koha e korrjes.

34 Na përpiu e na trullosi Nabukodonosori,

mbreti i Babilonisë, më rrëzoi.

Më bëri enë të zbrazur,

më gëlltiti si përbindësh,

e mbushi barkun

e më dëboi nga kënaqësitë e mia.

35 Dhuna e dobësia ime i rëntë Babilonisë,

thonë banorët e Sionit,

e gjaku im mbi banorët e Kaldesë,

thotë Jerusalemi.

36 Prandaj, kështu thotë Zoti:

ja, do të rragatem për çështjen tënde,

do ta marr unë harkun tënd.

Do t’ia thaj detin,

do t’ia ter gurrën.

37 Babilonia do të bëhet pirg rrënojash,

strofull çakejsh,

tmerr e fishkëllimë,

pa banorë fare.

38 Do të ulërijnë së bashku si luanët,

do të hingëllijnë si këlyshët e luaneshës.

39 Kur t’i kapë zjarrmia, do t’ua bëj unë festën,

do t’u jap të pinë, që të dëfrehen

e të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim,

kumton Zoti.

40 Do t’i zbres si qengjat në thertore,

si deshtë dhe cjeptë.

41 Si u mor Sheshaku,

krenaria e mbarë dheut?

Si u bë Babilonia

tmerr ndër kombe?

42 Hyri deti në Babiloni,

u mbulua me dallgët e tij të rrëmbyeshme.

43 U bënë shkretim qytetet e saj,

tokë e thatë e stepë,

tokë ku nuk banon askush,

ku nuk kalon asnjeri.

44 Do ta ndëshkoj Belin në Babiloni,

do t’ia nxjerr nga goja ç’ka gëlltitur.

Kombet nuk do të rrjedhin më drejt saj,

edhe muret e Babilonisë do të rrafshohen.

45 Dilni prej saj, populli im,

secili të shpëtojë veten

nga zemërimi i flaktë i Zotit.

46 Mos t’ju lëshojë zemra e mos kini frikë

nga njoftimi i shpallur në vend,

kur të vijë një vit një njoftim

e një vit tjetër një njoftim tjetër

e kur të ketë dhunë në vend

e sundimtar kundër sundimtari.

47 Prandaj, ja, po vijnë ditët,

kur do t’i ndëshkoj shëmbëlltyrat e Babilonisë.

Mbarë toka e saj do të turpërohet

e tërë të therurit do të rrëzohen në mes të saj.

48 Do të gëzohen për Babiloninë qielli e toka

me gjithë ç’kanë,

se shkatërrimtarët do të sulen kundër saj nga veriu,

kumton Zoti.

49 Edhe Babilonia do të bjerë prej të vrarëve të Izraelit,

siç u vra bota mbarë për Babiloninë.

50 Ju, që i keni shpëtuar shpatës,

mos u ndalni!

Kujtojeni prej larg Zotin

e t’ju bjerë ndër mend Jerusalemi.

51 Jemi turpëruar, se kemi dëgjuar tallje,

turpi na e ka mbuluar fytyrën,

se kanë hyrë të huajt

në tempullin e Zotit.

52 Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti,

kur unë do t’ia ndëshkoj shëmbëlltyrat

e në mbarë tokën e saj

do të rënkojnë të plagosurit.

53 Edhe po të ngrihej Babilonia deri në qiell,

edhe po ta përforconte majën e saj të fortë,

prej meje do të vijnë shkatërrimtarë kundër saj,

kumton Zoti.

54 Një zë! Britmë nga Babilonia!

Rrënim i madh nga dheu i kaldenjve!

55 Se Zoti po e shkatërron Babiloninë,

po e shuan bujën e saj të madhe.

Oshtijnë dallgët e saj si ujërat e rrëmbyeshëm,

i del kumbimi zërit të tij,

56 se erdhi kundër saj, kundër Babilonisë,

një shkatërrimtar,

u kapën luftëtarët e saj,

u copëtuan harqet e tyre,

se Perëndia i hakmarrjes është Zoti,

ai e jep shpërblimin e plotë.

57 Do t’i deh prijësit e saj e të urtët,

udhëheqësit, qeveritarët e luftëtarët,

do të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim,

kumton mbreti, Zot i ushtrive është emri i tij.

58 Kështu thotë Zoti i ushtrive:

muret e gjera të Babilonisë

do të shemben fare

e portat e saj të larta

do të digjen me zjarr.

Popujt mundohen më kot

dhe kombet lodhen vetëm për zjarr.

Fundi i Babilonisë

59 Urdhri që profeti Jeremi i dha Serajahut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekinë, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte përgjegjësi i banesës. 60 Jeremia i shkroi në një libër të gjitha zezonat që duhej të binin mbi Babiloninë. Të gjitha këto fjalë janë shkruar kundër Babilonisë. 61 Pastaj Jeremia i tha Serajahut: «Kur të mbërrish në Babiloni, bëj kujdes e lexoji të gjitha këto fjalë 62 e thuaj: o Zot, ti the për këtë vend se do ta zhbish, që të mos ketë banorë në të, as njerëz, as kafshë, por të jetë i rrënuar përgjithmonë.

63 Pasi ta kesh përfunduar së lexuari këtë libër, lidhe me gur, hidhe në mes të Eufratit 64 e thuaj: kështu do të mbytet Babilonia e nuk do të ngrihet më, për shkak të zezonës që unë po çoj kundër saj. E ata do të marrin fund».

Deri këtu fjalët e Jeremisë.