Jeremia 47

Për filistinët

Fjala e Zotit drejtuar profetit Jeremi për filistinët, para se faraoni të sulmonte Gazën.

Kështu thotë Zoti:

«Ja, po fryhen ujërat prej veriut,

po bëhen përrua rrëmbyes,

po e përmbytin tokën

me gjithçka e mbush,

qytetin e banorët e tij.

Gjithkush bërtet,

çdo banor i dheut ulërin.

Prej tingullit të përpushjes së patkonjve të hamshorëve,

prej sokëllimës së karrocave, prej vringëllimës së rrotave,

etërit nuk kthehen kah bijtë,

se u flashken duart,

se erdhi dita për t’i shkatërruar

të gjithë filistinët,

për të zhbirë nga Tiri e Sidoni

çdo ndihmëtar të mbetur,

se Zoti po i shkatërron filistinët,

tepricën e bregut të Kaftorit.

Gazës i ka rënë shoga,

Ashkeloni ka rënë në heshtje.

O tepricë e luginës së tyre,

deri kur do të çirreni?

Ah, shpatë e Zotit,

edhe sa kohë të duhet që të pushosh?

Hyr në mill,

ndalu e pusho!

Si mund të pushojë,

kur Zoti e ka urdhëruar?

Kundër Ashkelonit e kundër bregdetit,

atje e ka caktuar».