Jeremia 43

Jeremia në Egjipt

Kur Jeremia përfundoi së thëni para mbarë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë së tyre, të gjitha ato fjalë me të cilat Zoti, Perëndia i tyre, e kishte dërguar tek ata, Azarjahu, biri i Hoshajahut, Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë burrat kryeneçë i thanë Jeremisë: «Po na tregon gënjeshtra. Nuk të dërgoi Zoti, Perëndia ynë, për të na thënë: “Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje”, por Baruku, biri i Neriahut, të dërgoi kundër nesh, për të na lënë në dorë të kaldenjve, që të na vrasin e të na shpërngulin në Babiloni». Johanani, biri i Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë e mbarë populli nuk e dëgjuan zërin e Zotit për të ndenjur në tokën e Judës. Atëherë Johanani, biri i Kareahut, bashkë me të gjithë prijësit ushtarakë, mblodhën të gjithë pjesën e mbetur të popullit të Judës, që ishin kthyer për të banuar në tokën e Judës nga të gjitha kombet ku kishin qenë të dëbuar, burrat, gratë, fëmijët, bijat e mbretit e këdo që Nebuzaradani, kryerojtari, kishte lënë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit, përfshirë profetin Jeremi e Barukun, birin e Neriahut. Ata shkuan në dheun e Egjiptit, se nuk e dëgjuan zërin e Zotit, e mbërritën në Tahpanhes.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë në Tahpanhes: «Merr në dorë gurë të mëdhenj e mbuloji me llaç, në shtrojën që gjendet në hyrje të pallatit të faraonit, në Tahpanhes, para syve të judenjve. 10 Pastaj thuaju: kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do të dërgoj e të marr Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do ta vendos fronin e tij mbi këta gurë, që mbulova, e mbi ta ai do të shtrijë tendën e vet. 11 Ai do të vijë e do ta godasë tokën e Egjiptit, që të vdesin ata që janë për vdekje, të robërohen ata që janë për robërim e të theren me shpatë ata që janë për shpatë. 12 Ai do t’u vërë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit, do t’i djegë e do t’i robërojë. Ai do ta pastrojë dheun e Egjiptit siç pastron bariu gunën nga pleshtat e do të shkojë që andej i kënaqur. 13 Do t’i copëtojë përmendoret e tempullit të diellit në dheun e Egjiptit dhe do t’u vërë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit».