Jeremia 42

Mërgimi në Egjipt

Të gjithë prijësit ushtarakë, Johanani, biri i Kareahut, Jezaniahu, biri i Hoshajahut, dhe mbarë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, erdhën te profeti Jeremi e i thanë: «Mbaje parasysh lutjen tonë dhe lutju për ne Zotit, Perëndisë tënd, për tërë këtë tepricë, sepse prej shumë vetëve kemi mbetur pak, siç po na sheh vetë me sytë e tu. Zoti, Perëndia yt, na e tregoftë udhën, në të cilën duhet të ecim dhe çfarë duhet të bëjmë». Profeti Jeremi u tha: «Mora vesh. Ja, do t’i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja. Pastaj do t’ju tregoj gjithçka që Zoti do të më përgjigjet për ju. Nuk do t’ju mbaj të fshehur asgjë». Atëherë ata i thanë Jeremisë: «Zoti qoftë dëshmitar i vërtetë e besnik kundër nesh, nëse nuk do të veprojmë në përkim me gjithçka që Zoti, Perëndia yt, do të të dërgojë për të na thënë si duhet të veprojmë. Mirë a keq, do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na bëhet mirë, për shkak se do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Perëndisë tonë».

Pas dhjetë ditësh, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë. Ai thirri Johananin, birin e Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të e mbarë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, e u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat t’i paraqisja lutjen tuaj: 10 nëse do të rrini në këtë vend, unë do t’ju ngre e nuk do t’ju rrëzoj, do t’ju mbjell e nuk do t’ju shkul, se më vjen keq për të keqen që ju kam bërë. 11 Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, që ju tremb. Mos kini frikë prej tij, kumton Zoti, se unë do të jem me ju për t’ju shpëtuar e për t’ju çliruar prej dorës së tij. 12 Unë do t’i kërkoj mëshirë për ju e ai do t’ju mëshirojë e do t’ju lërë në vendin tuaj. 13 Por, nëse thoni: “Nuk do të rrimë në këtë tokë” dhe nuk do ta dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, 14 e thoni: “Jo, se do të shkojmë në dheun e Egjiptit, se atje nuk do të shohim luftë, nuk do ta dëgjojmë zërin e borisë, nuk do të kemi uri për bukë e atje do të banojmë”, 15 atëherë, për këtë arsye, dëgjojeni fjalën e Zotit, o teprica e Judës. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Nëse vërtet vendosni të shkoni në Egjipt e shkoni atje për të banuar, 16 shpata, së cilës i trembeni, do t’ju zërë atje, në dheun e Egjiptit. Edhe uria, prej së cilës ju ka zënë ankthi, do t’ju ndjekë atje në Egjipt e atje do të vdisni. 17 Të gjithë njerëzit që do të kenë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin prej shpatës, prej urisë e prej murtajës. Askush prej tyre nuk do të shpëtojë e t’i ikë zezonës që unë do të dërgoj kundër tyre”.

18 Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Siç u zbraz zemërimi im e tërbimi im kundër banorëve të Jerusalemit, ashtu do të zbrazet zemërimi im kundër jush pasi të keni shkuar në Egjipt. Ju do të bëheni mallkim, tmerr, nëmë e tallje dhe nuk do ta shihni më këtë vend”. 19 Zoti po ju thotë, o tepricë e Judës: mos shkoni në Egjipt. Dijeni mirë se sot po ju paralajmëroj, 20 pasi rrezikuat jetën tuaj, kur më çuat te Zoti, Perëndia juaj, e më thatë: lutju për ne Zotit, Perëndisë sonë, na thuaj gjithçka thotë Zoti, Perëndia ynë, e ne do ta zbatojmë. 21 Sot jua tregova, por ju nuk e dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, për gjithçka që ai më dërgoi t’ju them. 22 Prandaj dijeni mirë se do të vdisni prej shpatës, prej urisë e prej murtajës në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar».