Jeremia 41

Vrasja e Gedaliahut

Në muajin e shtatë, Ishmaeli, biri i Netanjahut, të birit të Elishamait, me gjak mbretëror, shkoi me dhjetë burra te Gedaliahu, biri i Ahikamit, në Micpah. Ndërsa po hanin bukë bashkë, atje në Micpah, Ishmaeli, biri i Netanjahut, dhe dhjetë burrat që ishin me të, u ngritën dhe e therën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit, dhe vranë atë që mbreti i Babilonisë kishte caktuar në atë vend. Ishmaeli vrau edhe të gjithë judenjtë që ishin me Gedaliahun në Micpah, si edhe ushtarët kaldenj, që u gjendën aty.

Dy ditë pas vrasjes së Gedaliahut, kur askush nuk dinte gjë, tetëdhjetë njerëz erdhën nga Shekemi, Shilohu e Samaria me mjekrat të rruara, me petkat të shqyera e me trupat të gërvishtur. Ata mbanin në duar kushtime e temjan, për t’i sjellë në tempullin e ZotitIshmaeli, biri i Netanjahut, doli nga Micpahu për t’i pritur duke qarë. Pasi i takoi, u tha: «Ejani te Gedaliahu, biri i Ahikamit». Por, kur mbërritën në mes të qytetit, Ishmaeli, biri i Netanjahut, ai vetë dhe burrat që ishin me të, i vrau dhe i hodhi në sternë. Ndër ta ishin edhe dhjetë burra, që i thanë Ishmaelit: «Mos na vrit, se kemi fshehur ndër ara tëmotjet: grurë, elb, vaj e mjaltë». Atëherë ai u përmbajt e nuk i vrau me vëllezërit e tyre.

Sterna ku Ishmaeli kishte hedhur të gjitha kufomat e burrave që kishte vrarë, bashkë me Gedaliahun, ishte sterna e madhe që kishte bërë mbreti Asa, për t’u mbrojtur nga Bashai, mbreti i Izraelit. Ishmaeli, biri i Netanjahut, e mbushi me të therurit. 10 Pastaj Ishmaeli robëroi tepricën e popullit, që gjendej në Micpah, të bijat e mbretit dhe të gjithë popullin që kishte mbetur në Micpah, që Nebuzaradani, kryerojtari, ia kishte besuar Gedaliahut, birit të Ahikamit. Ishmaeli, biri i Netanjahut, i robëroi dhe shkoi e kaloi në drejtim të amonitëve.

11 Por Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të, dëgjuan për tërë ligësinë që kishte bërë Ishmaeli, biri i Netanjahut, 12 mblodhën të gjithë burrat, shkuan të luftonin kundër Ishmaelit, të birit të Netanjahut, dhe e zunë pranë pellgut të madh të Gibeonit. 13 Mbarë populli, që ishte me Ishmaelin, u gëzua, kur pa Johananin, birin e Kareahut, dhe të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të. 14 Atëherë u soll mbarë populli që Ishmaeli kishte marrë rob nga Micpahu. Ata u kthyen e shkuan te Johanani, biri i Kareahut. 15 Por Ishmaeli, biri i Netanjahut, i shpëtoi Johananit bashkë me tetë burra dhe shkoi tek amonitët. 16 Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të, morën nga Micpahu mbarë popullin e mbetur, që ia hoqi Ishmaelit, birit të Netanjahut, pasi ky kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit: ushtarët, gratë, fëmijët, eunukët, të cilët Johanani i ktheu nga Gibeoni. 17 Ata u nisën dhe u ndalën në Gerut Kimham, afër Betlehemit, për të shkuar e për të hyrë në Egjipt, 18 larg kaldenjve, se kishin frikë prej tyre, për shkak se Ishmaeli, biri i Netanjahut, kishte vrarë Gedaliahun, të birin e Ahikamit, të cilin mbreti i Babilonisë e kishte caktuar përgjegjës të vendit.