Jeremia 34

Parashikimi për Sedekinë

Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë, kur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbarë ushtria e tij, mbarë mbretëritë e tokës nën sundimin e tij dhe të gjithë popujt po luftonin kundër Jerusalemit e qyteteve të tij: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: shko, fol me Sedekinë, mbretin e Judës, e thuaji: “Kështu thotë Zoti: ja, po ia dorëzoj këtë qytet mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr. Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të të kapin e do të të dorëzojnë tek ai. Do të shikosh sy më sy mbretin e Babilonisë, do të flasësh me të ballë për ballë e do të shkosh në Babiloni”. Megjithatë, dëgjoje fjalën e Zotit, o Sedeki, mbreti i Judës. Kështu thotë Zoti për ty: ti nuk do të vdesësh prej shpatës. Në paqe do të vdesësh dhe, siç u dogj erë e mirë për etërit tuaj, mbretërit e dikurshëm, që ishin para teje, ashtu do të digjet edhe për ty e do të vajtojnë për ty: ah, Imzot! Se unë kam folur, kumton Zoti».

Profeti Jeremi ia tha Sedekisë, mbretit të Judës, të gjitha këto fjalë në Jerusalem, ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë po luftonte kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës, që kishin mbetur, Lakishit e Azekahut, se këto ishin qytetet e vetme të fortifikuara të Judës që kishin mbetur.

Lirimi i skllevërve

Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë, pasi mbreti Sedeki kishte bërë një besëlidhje me mbarë popullin që gjendej në Jerusalem, për t’u shpallur lirinë, për të liruar secili skllavin e vet hebre dhe skllaven hebreje dhe për të mos pasur askush ndër ta si skllav vëllanë e vet hebre. 10 Të gjithë prijësit e mbarë populli, që e kishin pranuar besëlidhjen, u bindën ta çlironin secili skllavin e skllaven e vet e të mos i skllavëronin më. U bindën e i lanë të shkonin, 11 por pas kësaj ndërruan mendje e i kthyen skllevërit e skllavet, që kishin liruar, dhe i nënshtruan përsëri si skllevër e si skllave. 12 Atëherë Jeremisë iu drejtua fjala e Zotit e i tha: 13 «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: unë bëra një besëlidhje me etërit tuaj kur i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, e u thashë: 14 “Pas shtatë vjetësh secili duhet ta lërë të shkojë vëllanë e vet hebre që të është shitur ty. Do të të ketë shërbyer gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të largohet prej teje i lirë”. Por etërit tuaj nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin. 15 Ju sot u penduat e bëtë çka është e drejtë në sytë e mi, duke i shpallur lirinë secili të afërtit të vet. Bëtë besëlidhje para meje, në tempullin ku thirret emri im, 16 por pastaj ndërruat mendje dhe e përdhosët emrin tim, sepse secili e ktheu skllavin e skllaven e vet, që i kishit lënë të shkonin të lirë sipas dëshirës së tyre, dhe i nënshtruat përsëri e i bëtë skllevër e skllave për vete. 17 Prandaj, kështu thotë Zoti: ju nuk më dëgjuat e nuk i shpallët secili lirinë vëllait të vet e të afërtit të vet. Ja, kumton Zoti, po i shpall lirinë kundrejt jush shpatës, murtajës e urisë. Do t’ju bëj tmerrin e të gjitha mbretërive të tokës. 18 Burrat, që e shkelën besëlidhjen time e nuk i zbatuan fjalët e besëlidhjes që bënë para meje, do t’i bëj si viçin, që e çanë më dysh dhe kaluan mes copave të tij. 19 Prijësit e Judës, prijësit e Jerusalemit, oborrtarët, priftërinjtë dhe mbarë popullin e vendit, që kaluan përmes dy copave të viçit, 20 do t’ua lë në dorë armiqve të vet dhe atyre që kërkojnë t’u marrin shpirtin. Kufomat e tyre do të bëhen ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës. 21 Sedekinë, mbretin e Judës, dhe prijësit e tij do t’i lë në dorë të armiqve të vet, të atyre që kërkojnë t’ua marrin shpirtin, dhe në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që është larguar prej jush. 22 Ja, po jap një urdhër, kumton Zoti, dhe do t’i kthej drejt këtij qyteti. Do të luftojnë kundër tij, do ta pushtojnë e do t’i vënë zjarrin. Qytetet e Judës do t’i bëj të shkreta e pa banorë».