Jeremia 32

Shëmbëlltyra e arës

Fjala që iu drejtua Jeremisë nga Zoti në vitin e dhjetë të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e dymbëdhjetë të Nabukodonosorit. Në atë kohë ushtria e mbretit të Babilonisë e kishte rrethuar Jerusalemin dhe profeti Jeremi gjendej i mbyllur në tremen e rojës, në pallatin e mbretit të Judës. E kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, pasi i kishte thënë: «Pse profetizon e thua: “Kështu thotë Zoti: ja, po e lë këtë qytet në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta pushtojë. Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga dora e kaldenjve, por do t’i dorëzohet mbretit të Babilonisë, do të flasë me të ballë për ballë e do ta shohë sy më sy. Ai do ta marrë Sedekinë në Babiloni e Sedekia do të rrijë atje derisa ta takoj unë, kumton Zoti. Edhe po të luftoni kundër kaldenjve, nuk do t’ia dilni”».

Jeremia tha: «Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: ja, do të vijë te ti Hanameli, biri i Shalumit, ungjit tënd, për të të thënë: “Bli për vete arën time në Anatot, se të takon ty ta blesh, sipas së drejtës së riblerjes”. Hanameli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në tremen e rojës, sipas fjalës së Zotit, e më tha: “Blije arën time në Anatot, në tokën e Benjaminit, se të takon ty e drejta e pronës dhe e riblerjes. Blije për vete”. Atëherë e mora vesh se ajo kishte qenë fjala e Zotit.

Ia bleva Hanamelit, birit të ungjit tim, arën në Anatot dhe i pagova paratë: shtatëmbëdhjetë sikla argjendi. 10 Nënshkrova fletëblerjen, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova argjendin në kandar. 11 Pastaj mora fletëblerjen, të vulosur sipas rregullit e ligjit, dhe një tjetër të pambyllur. 12 Ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, në sytë e Hanamelit, kushëririt tim, në sytë e dëshmitarëve që e kishin nënshkruar fletën e blerjes dhe në sytë e të gjithë judenjve që gjendeshin në tremen e rojës. 13 Pastaj e urdhërova Barukun në sytë e të gjithëve e i thashë: 14 “Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: merri këto fletë, këtë fletëblerje, të vulosurën e të pambyllurën, dhe vëri në një enë balte, që të ruhen për shumë kohë. 15 Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të blihen shtëpi, ara e vreshta në këtë tokë”.

16 Pasi ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit e thashë: 17 “Ah, Zot, Zoti im! Ti bëre qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë. Asgjë nuk është e vështirë për ty. 18 Ti vepron mirësisht me mijëra vetë, por fajin e etërve ua lë ta shpaguajnë bijve të tyre që i pasojnë. Ti je Perëndia i madh e i fuqishëm, që e ka emrin Zoti i ushtrive, 19 madhështor në këshill e i madhërishëm në vepra, që i mban sytë hapur mbi të gjitha udhët e njerëzve, për t’i dhënë secilit sipas sjelljes së vet, sipas frytit të veprave të veta. 20 Ti bëre shenja e mrekulli në dheun e Egjiptit, në Izrael e në mbarë njerëzinë gjer më sot, prandaj bëre emër për vete gjer më sot. 21 Ti e nxore popullin tënd, Izraelin, nga Egjipti, me shenja e mrekulli, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me tmerr të madh. 22 U dhe këtë tokë, siç u ishe betuar etërve të tyre t’ua jepje, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë. 23 Ata erdhën dhe e morën në pronësi, por nuk e dëgjuan zërin tënd, nuk ecën në ligjin tënd, nuk bënë gjithçka u kishe urdhëruar të bënin, prandaj ua dërgove të gjitha këto mynxyra. 24 Ja, rrethimi i është afruar qytetit për ta pushtuar. Qyteti do t’u dorëzohet kaldenjve, që po e luftojnë me shpatë, me uri e me murtajë. Çfarë kishe thënë po ndodh dhe, ja, ti po e sheh. 25 Por ti, o Zot, Zoti im, më thua: blije arën për vete me para e thuaju dëshmitarëve të dëshmojnë, ndërsa qyteti po u dorëzohet kaldenjve”».

Zoti i flet Jeremisë

26 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: 27 «Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo gjallese. A ka ndonjë gjë të vështirë për mua? 28 Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po ua dorëzoj këtë qytet kaldenjve dhe po ia lë në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e ai do ta pushtojë. 29 Kaldenjtë që po luftojnë kundër këtij qyteti, do të hyjnë, do t’i vënë zjarrin këtij qyteti e do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi pullazet e të cilave iu kushtua temjan Baalit e iu derdhën fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua. 30 Se bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës bënë vetëm çfarë është keq në sytë e mi që nga rinia e tyre. Bijtë e Izraelit vetëm më kanë zemëruar me veprën e duarve të tyre, kumton Zoti31 Ky qytet u bë shkaku i zemërimit dhe i tërbimit tim, që prej ditës kur e ndërtuan e deri më sot. Unë do ta zhduk nga prania ime, 32 për shkak të gjithë ligësisë së bijve të Izraelit dhe të bijve të Judës, që e bënë për të më zemëruar, ata, mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe të gjithë banorët e Jerusalemit. 33 Më kthyen shpinën e jo fytyrën. Unë i mësoja pareshtur, por ata nuk më dëgjuan e nuk e pranuan qortimin. 34 Ata vendosën pështirësitë në tempullin ku thirret emri im, për ta përdhosur. 35 Ndërtuan faltoret e Baalit në vende të larta në luginën e Ben Hinomit, për t’i kushtuar Molekut bijtë e bijat, gjë që unë nuk ua kisha urdhëruar kurrë. Nuk më kishte shkuar ndër mend se do ta kishin bërë këtë pështirësi, për ta shtyrë Judën në mëkat.

36 E tani, për këtë arsye, kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ti thua se iu dorëzua mbretit të Babilonisë me shpatë, me uri e me murtajë: 37 ja, do t’i mbledh nga të gjitha vendet ku i pata degdisur, kur u zemërova, kur u tërbova, kur u hidhërova fort. Do t’i kthej në këtë vend e do t’i lë të banojnë të qetë. 38 Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. 39 Do t’u jap një zemër e një udhë, që të më druajnë gjithmonë, për të mirën e tyre dhe të bijve të vet pas tyre. 40 Do të bëj me ta një besëlidhje të amshuar e do t’u bëj mirë pareshtur. Do t’u vë në zemër drojën time, që të mos ikin prej meje. 41 Do të gëzohem duke u bërë mirë e do t’i mbjell me të vërtetë në këtë tokë, me gjithë zemër e me gjithë shpirt.

42 Se kështu thotë Zoti: siç solla mbi këtë popull gjithë këtë mynxyrë të madhe, po ashtu do të dërgoj mbi ta tërë të mirën që po u premtoj. 43 Do të blihen ara në këtë tokë për të cilën ju thoni se është shkretinë, pa njerëz e pa shtazë dhe se ka rënë në dorë të kaldenjve. 44 Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen fletëblerje, do të vulosen e do t’u paraqiten dëshmitarëve në tokën e Benjaminit, në rrethinat e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet kodrinore, në qytetet e Shefelahut e në qytetet e Negevit, se do t’i kthej robërit e tyre, kumton Zoti».