Jeremia 31

Premtimi i haresë

«Në atë kohë, kumton Zoti, unë do të jem Perëndia i të gjitha fiseve të Izraelit e ata do të jenë populli im.

Kështu thotë Zoti:

gjeti hir në shkretëtirë

populli që i shpëtoi shpatës;

Izraeli po shkon drejt prehjes.

Prej së largu m’u dëftua Zoti:

“Të desha me dashuri të amshuar,

prandaj të mbeta besnik.

Do të të ngre sërish e ti do të ngrihesh,

o virgjëresha e Izraelit.

Sërish do të stolisesh me dajre

e do t’i prish valles së gaztorëve.

Sërish do të mbjellësh vreshta

në malet e Samarisë,

do të mbjellin mbjellësit

e do të begatohen.

Se do të vijë dita e vikamës së rojtarëve

në malin e Efraimit:

ngrihuni, të shkojmë në Sion,

te Zoti, Perëndia ynë”.

Se kështu thotë Zoti:

bëzani me hare për Jakobin,

galdoni për kreun e kombeve;

shpallni lavdërimin tuaj e thoni:

e shpëtoi Zoti popullin e vet,

tepricën e Izraelit.

Ja, unë po i sjell nga dheu i veriut

e po i mbledh nga skajet e dheut.

Ndër ta është i verbri e i çali,

shtatzëna e lehona:

një bashkësi e madhe

këtu do të kthehet.

Do të vijnë duke u dënesur,

por unë do t’i sjell të përdëllyer,

do t’u prij drejt rrjedhave të ujit,

në një udhë të drejtë

ku nuk do të pengohen,

se për Izraelin u bëra porsi atë

dhe Efraimi është i parëlinduri im».

10 «Dëgjojeni, o kombe, fjalën e Zotit,

shpalluani ishujve të largët e thoni:

ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë,

do ta ruajë grigjën e vet porsi bariu».

11 Se e shpagoi Zoti Jakobin,

e shpengoi nga dora e më të fortit.

12 Do të vijnë e do të brohorasin në lartësitë e Sionit,

shndritur prej mirësisë së Zotit,

për grurin, për mushtin e për vajin,

për grigjat e për tufat.

Si kopsht i ujitur do të jetë shpirti i tyre

e më nuk do të lëngojnë.

13 Atëherë do të gëzojnë virgjëreshat me valle,

rinia e pleqtë së bashku.

Do ta kthej zinë e tyre në hare,

do t’i ngushëlloj e do t’i lumturoj,

do t’ua heq pikëllimin.

14 Do t’i ngij priftërinjtë me dhjamë,

me të mirat e mia do të mbushet populli im,

kumton Zoti.

15 Kështu thotë Zoti:

një zë u dëgjua në Ramah,

rënkim e vajtim i hidhur.

Rakela qan fëmijët e saj,

ngushëllim për fëmijët e saj nuk do,

se nuk janë më.

16 Kështu thotë Zoti:

mos nxirr vaj nga zëri yt,

as lot nga sytë e tu,

se e kanë shpërblimin veprat e tua,

kumton Zoti,

e ata do të kthehen nga dheu i armikut.

17 Ka shpresë për të ardhmen tënde,

kumton Zoti,

do të kthehen bijtë e tu në trojet e veta.

18 «Dëgjova Efraimin tek ankohej:

“Ti më ndreqe e unë u ndreqa

porsi kau i pamësuar.

Kthemë ti e unë do të kthehem,

se ti je Zoti, Perëndia im.

19 Se pasi u largova, u pendova,

pasi ma bëre të ditur, shuplaka kofshën,

u turpërova e u përula,

se u ngarkova me nëmën e rinisë sime”.

20 A s’është Efraimi bir i dashur për mua?

A s’është djali i ëndjeve?

Se sa herë flas kundër tij,

prapë më vijnë ndër mend kujtimet,

prandaj më dridhen zorrët për të,

e me përdëllim do ta përdëllej,

kumton Zoti.

21 Cakto për vete shenjat,

vendos për vete udhërrëfyesit,

mbaje në zemër udhën,

rrugën në të cilën ke ecur.

Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit,

kthehu te këto qytetet e tua.

22 Deri kur do të jesh e lëkundur,

o bijë besëshkalë?

Se Zoti krijoi një risi mbi dhe:

një femër i sillet rrotull një burri.

23 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të thonë këto fjalë në tokën e Judës dhe në qytetet e saj, pasi t’i kem kthyer të shpërngulurit e tyre:

të bekoftë Zoti, o shtëpi e drejtësisë,

o mal i shenjtë!

24 Atje do të banojnë së bashku Juda

dhe të gjitha qytetet e tij,

bujqit e prijësit e tufës.

25 Se do ta mëkoj shpirtin e mekur

e do të ngij çdo shpirt të drobitur».

26 Këtu u zgjova e pashë se kisha bërë gjumë të mirë.

Izraeli e Juda

27 «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta mbjell shtëpinë e Izraelit e të Judës me farë njerëzish e me farë bagëtish. 28 Atëherë, siç i mbajta sytë hapur mbi ta për t’i zhbirë e për t’i shembur, për t’i rrëzuar, për t’i rrënuar e për t’i dëmtuar, po ashtu do t’i mbaj sytë hapur mbi ta, për të ndërtuar e për të mbjellë, kumton Zoti29 Në ato ditë nuk do të thuhet më:

“Rrushin e thartë e hëngrën etërit,

por dhëmbët iu mpinë bijve”, 30 sepse secili do të vdesë për faj të vet. Do t’i mpihen dhëmbët vetëm atij që ha rrush të thartë».

Besëlidhja e re

31 «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës. 32 Jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga dheu i Egjiptit, besëlidhja ime, që ata e thyen, megjithëse unë isha zotëria i tyre, kumton Zoti33 Por, kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit, pas atyre ditëve, kumton Zoti: do ta vendos brenda tyre ligjin tim e do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. 34 Nuk do ta mësojnë më njëri-tjetrin, duke thënë: “Njiheni Zotin”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli deri te më i madhi prej tyre, kumton Zoti, se do t’ua fal fajin e nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.

35 Kështu thotë Zoti,

që diellin gjatë ditës si dritë e cakton,

e gjatë natës, si dritë, hënën e yjet vendos,

që trazon detin, e valët e tij ushtojnë

dhe emrin e ka Zoti i ushtrive:

36 nëse këto ligje më dalin dore,

kumton Zoti,

vetëm atëherë do të reshtë Izraeli

e nuk do të jetë më para meje komb përgjithmonë.

37 Kështu thotë Zoti:

nëse mund të maten qiejt prej së larti

e të hulumtohen gjer poshtë themelet e tokës,

edhe unë do ta flak mbarë farën e Izraelit

për gjithçka bëri,

kumton Zoti».

Rindërtimi i Jerusalemit

38 «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur qyteti do të rindërtohet për Zotin, që nga Kulla e Hananelit deri te Porta e Këndit. 39 Litari matës do të shtrihet përsëri deri te kodra e Garebit e do të sillet drejt Goahut. 40 Gjithë lugina e kufomave dhe e hirit dhe të gjitha rrafshinat deri te përroi Kidron, deri te qoshja e Portës së Kuajve drejt lindjes, do të jenë të shenjta për Zotin. Nuk do të zhbihen, as do të rrafshohen më».