Jeremia 25

Paralajmërimi i shpërnguljes

Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë për të gjithë popullin e Judës në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, në vitin e parë të mbretërimit të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe që profeti Jeremi ia shpalli mbarë popullit të Judës dhe të gjithë banorëve të Jerusalemit, duke thënë: «Që nga viti i trembëdhjetë i Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, deri më sot, për njëzet e tre vjet, fjala e Zotit më është drejtuar dhe unë ju kam folur pa u lodhur, por nuk më keni dëgjuar. Madje, Zoti ju ka dërguar pareshtur të gjithë profetët, shërbëtorët e tij, por ju nuk keni dëgjuar e nuk u keni vënë vesh për t’i dëgjuar kur thoshin: “Të kthehet secili nga udha e mbrapshtë e nga veprat e veta të mbrapshta, që të mund të banoni në dheun që ua dha Zoti juve dhe etërve tuaj qëmoti e përgjithmonë. Mos shkoni pas perëndive të tjerë, për t’u shërbyer e për t’i adhuruar, mos më zemëroni me veprën e duarve tuaja, që mos t’ju bëj keq”. Por ju nuk më keni dëgjuar, kumton Zoti, prandaj më zemëruat me veprën e duarve tuaja, për të keqen tuaj».

Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive: «Meqë nuk i dëgjuat fjalët e mia, ja, do të dërgoj njerëz të marrin të gjitha fiset e veriut, kumton Zoti, dhe Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, e do t’i sjell kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij e kundër të gjitha kombeve përreth. Do t’i shfaros, do t’i kthej në mbeturinë, tallje e rrënim përgjithmonë. 10 Do ta shuaj prej tyre tingullin e haresë e britmën e gëzimit, zërin e dhëndrit e zërin e nuses, zhurmën e mokrës dhe dritën e kandilit. 11 Gjithë ky vend do të kthehet në shkretëtirë e djerrinë e këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë për shtatëdhjetë vjet. 12 Pasi të mbushen shtatëdhjetë vjet, do ta ndëshkoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, kumton Zoti, për fajin e tyre, dhe tokën e tyre do ta shkretoj përgjithmonë. 13 Do të dërgoj në atë tokë të gjitha gjërat që thashë kundër saj, gjithçka shkruhet në këtë libër, që Jeremia profetizoi kundër të gjitha kombeve. 14 Shumë kombe e mbretër të fuqishëm do të marrin skllevër edhe prej tyre, por unë do t’ua kthej sipas bëmave të veta e sipas veprave të duarve të veta».

Ndëshkimi i kombeve

15 Kështu më tha Zoti, Perëndia i Izraelit: «Merre prej duarve të mia këtë kupë vere të zemërimit dhe jepua të pinë të gjitha kombeve ku po të dërgoj. 16 Ta pinë, të kalamenden e të trullosen, për shkak të shpatës që do të çoj ndër ta».

17 E mora kupën nga dora e Zotit e ua dhashë ta pinin të gjitha kombeve te të cilat Zoti më kishte dërguar: 18 Jerusalemit e qyteteve të Judës, mbretërve e princave, për t’i zhytur në shkretim e në rrënim, në tallje e në mallkim, si sot; 19 edhe faraonit, mbretit të Egjiptit, shërbëtorëve të tij, princave e mbarë popullit të tij; 20 edhe të gjitha fiseve të huaja e të gjithë mbretërve të tokës së Ucit, të gjithë mbretërve të tokës së filistinëve, Ashkelonit, Gazës, Ekronit e tepricës së Ashdodit, 21 Edomit, Moabit, amonitëve, 22 të gjithë mbretërve të Tirit, të gjithë mbretërve të Sidonit, mbretërve të bregut përtej detit, 23 Dedanit, Temait, Buzit dhe të gjithë atyre që qethin tëmthat; 24 të gjithë mbretërve të Arabisë, që banojnë në shkretëtirë; 25 të gjithë mbretërve të Zimriut, të gjithë mbretërve të Elamit e të gjithë mbretërve të Medës; 26 të gjithë mbretërve të veriut, atyre që janë afër e larg, njërit pas tjetrit dhe të gjithë mbretërive që gjenden mbi dhe. Ndërsa mbreti i Sheshakut do të pijë pas tyre.

27 Ti thuaju: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: pini, dehuni e villni, rrëzohuni e mos u çoni për shkak të shpatës që po çoj mes jush».

28 Nëse nuk e marrin kupën nga dora jote për të pirë, thuaju: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: për të pirë do të pini, 29 se, ja, po filloj ta kryej të keqen në qytetin që mban emrin tim, e ju do të shpëtuakeni pa u ndëshkuar? Nuk do t’i shpëtoni ndëshkimit, se unë i kam bërë thirrje shpatës kundër të gjithë banorëve të tokës, kumton Zoti i ushtrive».

30 Ti do t’u profetizosh të gjitha këto fjalë e do t’u thuash:

«Zoti prej së larti buçet,

nga banesa e tij e shenjtë lëshon zë,

buçet kundër lëndinave të tij,

ushton porsi ata që shtypin rrush

kundër të gjithë banorëve të tokës.

31 Mbërriti gumëzhima gjer në skaj të dheut,

se Zoti ngre padi kundër kombeve,

ai nxjerr në gjyq çdo njeri,

të paudhët ia fal shpatës, kumton Zoti».

32 Kështu thotë Zoti i ushtrive:

«Ja, kobi po shtrihet

nga kombi në komb

e stuhia po ngrihet

nga fundi i dheut.

33 Të therurit e Zotit do të gjenden atë ditë nga njëri skaj i tokës te tjetri. Nuk do të vajtohen as do të varrosen, por do të mbeten si pleh përmbi dhe.

34 Çirruni, o barinj, e bërtitni,

rrotullohuni në pluhur, o pronarët e grigjës,

se ditët e therorisë e të flakjes suaj mbërritën

e ju do të bini si enë e çmuar.

35 Barinjtë do të mbeten pa strehim

e pa rrugëdalje pronarët e grigjës.

36 Një zë! Gjëma e barinjve,

britma e pronarëve të grigjës,

se po e shkatërron Zoti kullotën e tyre.

37 U shkatërruan lëndinat e qeta,

për shkak të zemërimit të Zotit.

38 Si luani e braktisi strofullin e tij,

ndaj toka u bë shkretim

prej furisë shtypëse,

prej zemërimit të tij përvëlues».