Jeremia 21

Sedekia kërkon këshillë

Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë kur mbreti Sedeki dërgoi tek ai Pashhurin, birin e Malkjahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t’i thënë: «Pyete Zotin për ne, se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, na ka hapur luftë. Ndoshta Zoti do të veprojë me ne sipas tërë mrekullive të veta që ai të largohet prej nesh».

Jeremia iu përgjigj: «Kështu thuajini Sedekisë: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: ja, do t’i kthej armët e luftës që keni në dorë, me të cilat luftoni kundër mbretit të Babilonisë e kundër kaldenjve, që u kanë vënë rrethimin jashtë mureve, e do t’i grumbulloj në mes të këtij qyteti. Unë vetë do të luftoj kundër jush, me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, me tërbim e me furi të madhe. Do t’i godas banorët e këtij qyteti, njerëzit e kafshët. Nga murtaja e rëndë do të vdesin. E pastaj, kumton Zoti, Sedekinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin që do t’i ketë shpëtuar murtajës, shpatës e urisë në këtë qytet, do t’ia dorëzoj Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, do t’i lë në duart e armiqve të tyre dhe në duart e atyre që kërkojnë t’u marrin shpirtin. Ai do t’i shkojë në teh të shpatës, pa keqardhje për ta, pa mëshirë e pa përdëllim.

Ndërsa këtij populli thuaji: “Kështu thotë Zoti: ja, po ju vë përpara udhën e jetës dhe udhën e vdekjes. Kush do të mbesë në këtë qytet, do të vdesë prej shpatës, prej urisë e prej murtajës, ndërsa ata që do të ikin e do t’u dorëzohen kaldenjve, që ju kanë rrethuar, do të jetojnë e do të kenë për plaçkë jetën e vet, 10 se jam drejtuar kundër këtij qyteti për keq e jo për mirë, kumton Zoti. Do të bjerë në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr”».

Kundër mbretërve të Judës

11 Shtëpisë së mbretërve të Judës thuaji: «Dëgjojeni fjalën e Zotit12 o shtëpia e Davidit. Kështu thotë Zoti:

gjykoni me drejtësi çdo mëngjes,

lirojeni nga dora e shtypësit

atë që e kanë vjedhur,

që të mos shpërthejë si zjarr zemërimi im,

të mos përflaket pa e shuar askush,

për shkak të veprave tuaja të liga.

13 Kundruall më ke, o banorja e luginës,

o shkëmbi i rrafshinës, kumton Zoti,

ju që thoni: kush do të zbresë kundër nesh,

kush do të hyjë në vendstrehimet tona?

14 Do t’ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja, kumton Zoti,

do t’i vë zjarrin pyllit të saj

e rreth saj do të djegë gjithçka».