Jeremia 20

Përndjekja e Jeremisë

Prifti Pashhur, biri i Imerit, kryepërgjegjës në tempullin e Zotit, e dëgjoi Jereminë duke profetizuar këto gjëra. Pashhuri e rrahu profetin Jeremi dhe e futi në qelinë që gjendej te Porta e Epërme e Benjaminit, në tempullin e ZotitTë nesërmen, kur Pashhuri e nxori Jereminë nga qelia, Jeremia i tha: «Zoti nuk do të të thërrasë më Pashhur, por “tmerr rreth e qark”. Se kështu thotë Zoti: ja, do të të fus tmerrin ty e mbarë miqve të tu. Do të bien prej shpatës së armiqve të tyre e ti do t’i shohësh me sytë e tu. Mbarë Judën do ta dorëzoj në dorë mbretit të Babilonisë. Ai do t’i shpërngulë në Babiloni e do t’i godasë me shpatë. Mbarë pasurinë e këtij qyteti, të gjitha pronat, të gjitha gjërat e çmueshme dhe të gjitha thesaret e mbretërve të Judës do t’ua dorëzoj armiqve të tyre. Ata do t’i plaçkitin, do t’i kapin e do t’i shpërngulin në Babiloni. Edhe ti, Pashhur, e gjithë sa banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri, në Babiloni do të shkoni, atje do të vdisni e atje do të varroseni, ti e të gjithë miqtë e tu, për të cilët ke profetizuar rrejshëm.

Ankimi i Jeremisë

Ti më joshe, o Zot, e unë u josha,

më munde e fitove.

Shpoti u bëra tërë ditën,

të gjithë tallen me mua

Se sa herë flas, bërtas:

“Dhunë e rrënim!”, thërras,

se shkak qesëndie u bë për mua fjala e Zotit

e shkak përqeshjeje tërë ditën.

Thosha me vete: “Nuk do ta kujtoj më,

e nuk do të flas më në emrin e tij”.

Por kisha në zemër një si zjarr flakërues,

të ndryrë brenda kockave të mia.

U orvata ta ndalja,

por nuk munda.

10 Dëgjoja pëshpërimat e shumicës:

“Tmerr rreth e qark!

Paditeni! Ta paditim!”.

Të gjithë dashamirësit e mi

prisnin rrëzimin tim:

“Ndoshta do të gënjehet,

mund ta mposhtim

e të marrim hak kundër tij”.

11 Por Zoti është me mua porsi trim i frikshëm,

ndaj do të dridhen përndjekësit e mi

e nuk do të ngadhënjejnë.

Do të koriten fare,

se nuk do t’ia dalin,

me turp të përhershëm

që nuk do të harrohet.

12 Zoti i ushtrive, që e shqyrton të drejtin,

që shqyrton veshkat e zemrën,

shfaqma hakmarrjen tënde kundër tyre,

se ty ta parashtrova çështjen time.

13 Këndojini Zotit,

lëvdojeni Zotin,

se e çliroi jetën e nevojtarit

nga dora e keqbërësit.

14 Mallkuar dita kur u linda!

Dita kur më lindi ime më

mos qoftë e bekuar!

15 Mallkuar qoftë njeriu

që i solli lajmin tim eti e i tha:

“Të ka lindur djalë”

e me ngazëllim e ngazëlleu.

16 Ai njeri qoftë si qyteti,

që Zoti e përmbysi pa mëshirë.

Dëgjoftë britma në ag

e ulërima në mesditë,

17 se nuk më la të vdisja që në bark;

ime më do të ishte për mua varr

e barku i saj shtatzënë përjetë.

18 Pse dola nga barku,

për të parë mund e pikëllim

e për t’i sosur me turp ditët e mia?».