Jeremia 2

Tradhtia e Izraelit

Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Shko e bërtiti në veshë Jerusalemit. Kështu thotë Zoti:

më kujtohet përkushtimi i rinisë sate,

dashuria jote vajzërore,

kur rendje pas meje në shkretëtirë,

në tokë të pambjellë.

I shenjtë ishte Izraeli për Zotin,

fryti i tij i parë.

Ata që e kafshonin binin në faj,

zezona i zinte, kumton Zoti.

Dëgjojeni fjalën e Zotit, o shtëpia e Jakobit dhe të gjitha fiset e shtëpisë së Izraelit. Kështu thotë Zoti:

çfarë të mete gjetën tek unë etërit tuaj,

që u larguan prej meje,

rendën pas kotësisë

dhe u bënë të kotë?

A nuk thanë: “Ku është Zoti,

që na solli nga dheu i Egjiptit,

që na priu në shkretëtirë,

në tokë djerr e plot gropa,

në tokë të thatë e të errët,

në dheun ku nuk kalon njeri

e ku askush nuk banon?”.

Unë ju solla në tokë frutore,

që të hani frytet dhe begatitë e saj,

por ju hytë dhe e ndotët vendin tim,

e bëtë të neveritshme trashëgiminë time.

Priftërinjtë nuk pyetën: “Ku është Zoti?”.

Shtjelluesit e ligjit nuk më njohën,

barinjtë ngritën krye kundër meje,

profetët profetizuan sipas Baalit

e rendën pas kotësive.

Prandaj do të rragatem me ju, kumton Zoti,

edhe me bijtë e bijve tuaj do të rragatem.

10 Shkoni, pra, në brigjet e Kitimit e shikoni,

dërgoni për të vërejtur hollë në Kedar

e shihni a kanë ndodhur gjëra të tilla atje.

11 A i ka këmbyer ndonjë komb perënditë,

edhe pse ata s’janë perëndi?

Por populli im e ka këmbyer lavdinë e vet

me çfarë është e pavlerë.

12 Hutohuni nga kjo gjë, o qiej,

tranduni e trishtohuni thellë, kumton Zoti.

13 Se dy ligësi bëri populli im:

më braktisi mua,

gurrën e ujit të gjallë,

për të hapur për vete sterna,

sterna të shpuara,

që nuk mbajnë ujë.

14 Mos është skllav Izraeli, skllav i lindur në shtëpi?

Përse u bë pre?

15 Luanët ulërinë kundër tij

me zërin e tyre të lartë.

E shkretuan tokën e tij,

qytetet e tij u rrënuan e s’kanë më banorë.

16 Edhe bijtë e Memfisit e Tahpanhesit

ta kanë rruar kokën.

17 A nuk ia bëre vetes,

duke braktisur Zotin, Perëndinë tënd,

kur ai të priu udhës sate?

18 Ç’ke që rend drejt Egjiptit

për të pirë ujin e Nilit?

Ç’ke që rend drejt Asirisë

për të pirë ujin e Eufratit?

19 Ligësia jote do të të ndëshkojë,

pabesia jote do të të qortojë.

Merre vesh e shiko sa keq

e sa hidhur është për ty

të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd.

Nuk dridhesh më para meje, kumton Zoti, Zoti i ushtrive.

20 Ja, qëmoti e kam copëtuar zgjedhën tënde

e i kam thyer vargonjtë e tu,

e ti the: “Nuk do të shërbej”,

prandaj mbi çdo kodër të lartë

e nën çdo pemë të harbuar

u shtrive porsi lavire.

21 Të pata mbjellë si hardhi e zgjedhur,

prej farës së pastër.

Si m’u tjetërsove

e u bëre hardhi e egër?

22 Edhe po të lahesh me finjë

e të fërkohesh me shumë sapun,

para syve e kam damkën e fajit tënd, kumton Zoti, Zoti im.

23 Si mund të thuash: “Nuk jam përlyer,

nuk renda pas Baalëve”?

Shiko gjurmët ku ke ecur nëpër luginë,

prano çfarë ke bërë,

o deve e shkathët endacake,

24 gomare e egër e mësuar me shkretëtirën,

që nuhat ajrin kur e kap afshi.

Kush mund ta ndalë epshin e saj?

Kushdo që e dëshiron, nuk mundohet,

por e gjen gjithmonë në muajin e vet.

25 Ruaje këmbën, mos të mbetet zbathur

e fytin mos të mbetet etur.

Por ti the: “Jo, është e kotë,

se të huajt dashurova

e pas tyre do të rend”.

26 Siç turpërohet vjedhësi kur kapet,

ashtu do të turpërohet shtëpia e Izraelit,

ata, mbretërit e tyre, prijësit,

priftërinjtë e profetët e tyre,

27 që i thonë drurit: “Ti je im atë”

e gurit: “Ti më ke lindur”.

Më kanë kthyer kurrizin

e jo fytyrën,

por, kur i zë zezona, thonë:

“Ngrihu e shpëtona!”.

28 Ku janë perënditë

që sajove për vete?

Le të ngrihen, nëse të shpëtojnë

në kohën e zezonës,

se, sa numri i qyteteve të tua

janë perënditë e tua, o Judë.

29 Pse grindeni me mua?

Ju të gjithë ngritët krye kundër meje, kumton Zoti.

30 Më kot i godita bijtë tuaj,

nuk e morën mësimin.

Profetët tuaj i përpiu shpata juaj,

si luani rrënimtar.

31 Ju, o brezni, vëreni fjalën e Zotit.

Mos vallë isha shkretëtirë për Izraelin,

apo tokë e terratisur?

Përse thotë populli im:

“Do të endemi të lirë,

te ti më nuk do të kthehemi”?

32 A i harron vashëza stolitë e veta,

apo nusja brezin nusëror?

Por populli im më ka harruar

prej shumë kohësh.

33 Sa mirë e gjen udhën

për të lypur dashuri!

Deri edhe të përdalave

ua mësove udhët e tua.

34 Në petkun tënd gjendet

gjaku i nevojtarëve të pafajshëm,

të cilët s’i kape duke thyer derën.

Me të gjitha këto,

35 thua: “Jam, e pafaj,

prandaj iku prej meje zemërimi i tij”.

Ja, do t’ju hap gjyq,

sepse thatë: “Unë s’kam mëkatuar”.

36 Sa shpërfillshëm ndërron udhë!

Edhe nga Egjipti do të mbulohesh me turp,

siç u mbulove me turp nga Asiria.

37 Edhe që andej do të dalësh

duke mbajtur kokën me duar,

se Zoti i ka përzënë besnikët e tu

e ti nuk do të begatohesh falë tyre».