Jeremia 15

Vendosmëria e Zotit

Zoti më tha: «Edhe po të qëndronin para meje vetë Moisiu e Samueli, shpirti im nuk do të prirej drejt këtij populli. Dëboji nga prania ime e le të ikin. E kur të të pyesin: “Ku të shkojmë?”, ti do t’u thuash: kështu thotë Zoti:

kush është për vdekje, në vdekje;

kush është për shpatë, në shpatë;

kush është për zi buke, në zi buke;

kush është për robëri, në robëri.

Do të dërgoj mbi ta katër lloje mynxyrash, kumton Zoti: shpatën për të vrarë, qentë për të zvarritur, zogjtë e qiellit dhe kafshët e tokës për të gëlltitur e për të shkatërruar. Do t’i bëj tmerrin e mbarë mbretërive të dheut, për shkak të asaj që bëri në Jerusalem Manaseu, biri i Ezekisë, mbretit të Judës.

Kush do të të mëshirojë, o Jerusalem,

e kush do të të ngushëllojë?

Kush do të kthehet

për të të pyetur si je?

Ti më dëbove, kumton Zoti,

po ecën prapthi,

ndaj shtriva dorën kundër teje e të shkatërrova.

U lodha së përdëllyeri.

I shpërndava me terplote

te portat e vendit,

e lashë pa fëmijë, e rrënova popullin tim,

se nuk u kthyen prej udhëve të tyre.

Të vejat e tij m’u shtuan

më shumë se rëra e detit.

Solla kundër nënave e kundër të rinjve

rrënimtarin në mes të ditës,

zbraza mbi ta papritur

trazim e tmerrim.

U mek ajo që lindi shtatë fëmijë,

e la fryma.

I perëndoi dielli që me ditë,

u turpërua e u trondit.

Tepricën e tyre do t’i shkoj në shpatë

para armiqve të tyre, kumton Zoti».

Ankimi i Jeremisë

10 Vaj për mua, o nëna ime,

që më linde mua

njeri rragatjesh e kundërshtimesh

për mbarë vendin!

As dhashë e as mora hua,

e, pra, të gjithë më mallkojnë.

11 Zoti tha: «A nuk të ruajta ty për të mirë?

A nuk e bëra armikun të të lutej

në kohë të liga

e në kohë ngushtice?

12 A thyhet hekuri,

hekuri i veriut dhe bronzi?

13 Pasurinë tënde dhe thesaret e tua

do t’i jap për plaçkë, pa çmim,

për shkak të mëkateve tuaja,

anembanë trojeve tuaja.

14 Do të të bëj skllav të armiqve të tu

në një tokë që ti nuk e njeh,

se u ndez zjarri i zemërimit tim

që do të përflaket kundër teje».

15 Ti e di, o Zot.

Kujtohu për mua, eja tek unë

e hakmerru me përndjekësit e mi.

Falë durimit tënd, mos më zhbij.

Përfille qortimin që durova për shkakun tënd.

16 U shfaqën fjalët e tua e unë i përpiva.

Fjalët e tua u bënë për mua gëzimi

e hareja e zemrës sime,

sepse thirra emrin tënd,

Zot, Perëndia i ushtrive.

17 Nuk ndenja në shoqërinë e hokatarëve

e nuk u argëtova.

Për shkak të dorës sate ndenja i vetëm,

se me hidhërim më kishe mbushur.

18 Pse nuk merr fund dhimbja ime

e plaga ime e pashërueshme

s’pranon të shërohet?

Ti u bëre për mua si mashtrim,

si uji, që s’i zihet besë.

19 Prandaj, kështu thotë Zoti:

«Nëse kthehesh,

unë do të të kthej

e ti do të qëndrosh në praninë time.

Nëse do të nxjerrësh të vyerën nga e pavyera,

do të jesh si goja ime.

Ata do të kthehen drejt teje,

por ti nuk do të kthehesh drejt tyre.

20 Para këtij populli do të të bëj

mur bronzi të fortifikuar.

Do të luftojnë kundër teje,

por nuk do të të mundin,

se me ty do të jem unë, për të të çliruar»,

kumton Zoti.

21 «Do të të çliroj prej dorës së të paudhëve,

do të të shpengoj prej dorës së mujsharëve».