Isaia 64

Sikur të ishe si zjarri që djeg shkurret

e që ujin e bën të vlojë,

që t’ua bëje të njohur armiqve emrin tënd.

Para teje kombet do të dridheshin!

Kur bëre mrekulli që ne nuk i pritnim,

zbrite e para teje u trandën malet.

Që nga lashtësia nuk ishte dëgjuar,

askujt s’ia dëgjuan veshët e nuk ia panë sytë,

që tjetër Perëndi, veç teje, të vepronte

për atë që kishte shpresë tek ai.

Përpara u del atyre që me gëzim

zbatojnë drejtësinë

atyre që s’të harrojnë,

por ecin udhëve të tua.

Ja, vërtet ishe i zemëruar,

sepse kishin mëkatuar.

Për shumë kohë ishim në mëkatet tona,

si do të shpëtojmë vallë?

Jemi bërë të gjithë si të papastër

e çdo drejtësi e jona si rrobë e ndyrë,

të gjithë po vyshkemi si gjethja,

paudhësitë po na degdisin larg si era.

S’ka kush ta thërrasë më emrin tënd,

s’ka kush të ngrihet e të mbështetet te ti,

se e ke fshehur prej nesh fytyrën tënde,

na ke lënë të tretemi prej paudhësive tona.

Por, ti, o Zot, ti je ati ynë,

ne jemi balta e ti poçari,

të gjithë jemi vepra e duarve të tua.

Mos u zemëro për së tepërmi, o Zot,

e mos i kujto përherë paudhësitë tona.

Ja, të përgjërohemi të na vështrosh,

të gjithë jemi populli yt.

Qytetet e tua të shenjta janë shkretuar,

i shkretë ka mbetur Sioni,

rrënojë është bërë Jerusalemi.

10 Tempulli ynë i shenjtë e i madhërishëm,

vendi ku të lavdëronin etërit tanë,

është përpirë prej zjarrit.

Gjithçka që e kishim të çmuar

është kthyer në gërmadhë.

11 Edhe pas gjithë këtyre,

do të përmbahesh, o Zot?

Mos vallë do të heshtësh?

Kaq shumë do të na mundosh?