Isaia 61

I dërguari i Zotit

Shpirti i Zotit, Zotit tim, është mbi mua,

se vetë Zoti më ka vajosur,

më ka dërguar t’u shpall lajmin e mirë të vobektëve,

t’u lidh plagët zemërthyerve,

t’u shpall çlirimin të robëruarve,

të burgosurve, daljen nga burgu,

të shpall vitin e hirit të Zotit

dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë,

t’u jap ngushëllim të gjithë atyre që vajtojnë,

të ngushëlloj ata që vajtojnë në Sion,

t’u vë kësula mbi kokë në vend të hirit,

vajin e gëzimit, në vend të zisë,

petkun e lavdit, në vend të shpirtit të thyer,

që lisa drejtësie të quhen,

mbëltim i Zotit, për lavdi të tij.

Rrënojat e lashta do t’i ndërtojnë sërish,

gërmadhat e vjetra do t’i ngrenë,

do të përtërijnë qytetet e shkretuara,

të shkatërruara prej shumë breznish.

Të huaj do të vijnë për t’jua kullotur tufat,

bij të huajsh do të jenë bujqit e vreshtarët tuaj.

E ju do të quheni «priftërinj të Zotit».

«Shërbëtorë të Perëndisë tonë», do të thonë për ju.

Do të gëzoni të mirat e kombeve,

me pasurinë e tyre do të krenoheni.

Dyfish të turpëruar keni qenë,

«Çnderimi është fati i tyre!», për ju bërtitën,

prandaj tokën tuaj dyfish do ta trashëgoni

e gëzim të përhershëm do të keni.

Se unë, Zoti, që e dua drejtësinë

dhe e urrej plaçkitjen e paudhësinë,

unë do t’ju jap shpërblimin me besnikëri

e do të bëj me ju një besëlidhje të amshuar.

Fara juaj do të jetë e njohur mes kombeve,

pasardhësit tuaj mes popujve.

Kushdo që do t’i shohë, do t’i njohë,

ata janë fara e bekuar prej Zotit.

10 I madh është gëzimi im në Zotin,

shpirti im ngazëllen në Perëndinë tim,

se më veshi me rrobat e shpëtimit,

me petkun e drejtësisë më mbuloi,

si një dhëndër stolisur me kësulë,

si një nuse zbukuruar me stoli.

11 Siç bën toka të mbijë bimësia,

si kopshti që rrit farën e mbjellë,

ashtu do ta rritë Zoti, Zoti im, drejtësinë

dhe lavdërimin përpara gjithë kombeve.