Isaia 6

Thirrja e Isaisë

Vitin që vdiq mbreti Uziah, pashë Zotin të ulur në një fron të lartë e madhështor. Cepat e petkut të tij mbushnin tempullin. Mbi të qëndronin serafëta. Secili prej tyre kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy këmbët e me dy krahë fluturonte. Ata i thërrisnin njëri-tjetrit e thoshin:

«Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i ushtrive!

Mbarë toka është plot me lavdinë e tij!».

Pragjet e shtalkave u drodhën nga zëri i atij që thërriste dhe tempulli u mbush me tym. E unë thashë:

«I mjeri unë! Mora fund!

Se njeri me buzë të papastra jam

e mes një populli të papastër jetoj,

por sytë e mi panë Mbretin,

Zotin e ushtrive».

Atëherë njëri nga serafët fluturoi drejt meje. Në dorë mbante një thëngjill zjarri që e kishte marrë me mashë prej altarit. Me të më preku gojën e më tha:

«Ja, ky preku buzët e tua,

paudhësia jote u fal,

mëkati yt u shlye».

Mandej dëgjova zërin e Zotit që tha: «Kë të dërgoj? Kush do të shkojë për ne?». Unë thashë: «Ja ku jam, dërgomë mua!». E ai më tha: «Shko e thuaji këtij populli:

për të dëgjuar, do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni,

për të parë, do të shihni, por nuk do të dalloni.

10 Trashja zemrën këtij populli,

shurdhoja veshët, verboja sytë,

që të mos shohin me sy

e të mos dëgjojnë me veshë,

që zemra e tyre të mos kuptojë,

e kështu të mos kthehen e të shërohen».

11 Atëherë unë thashë: «Deri kur, o Zot?». Ai m’u përgjigj:

«Derisa qytetet të shkretohen

e banorë të mos kenë,

derisa shtëpitë të mbesin pa njeri

e toka të lihet djerr.

12 Derisa Zoti ta degdisë njerëzinë

e shkretimi të jetë i madh në vend.

13 Por edhe një e dhjeta që do të mbesë,

do të kthehet e do të kalojë nëpër zjarr.

Do të jetë si qarri e si lisi

që kur priten u mbetet veç trungu,

trungu që do të jetë filizi i shenjtë».


 a6.2 ose: serafimët; serafinët