Isaia 59

Mëkati dhe pendesa

Jo, nuk është shkurtuar dora e Zotit,

që të mos shpëtojë!

Jo, nuk është rënduar veshi i tij,

që të mos dëgjojë!

Ishin paudhësitë tuaja që ndarje sollën

mes jush e Perëndisë tuaj.

Ishin mëkatet tuaja që ia mbuluan fytyrën prej jush,

që të mos ju dëgjonte.

Duart tuaja janë të lyera me gjak,

gishtërinjtë tuaj me paudhësi,

buzët tuaja kanë thënë gënjeshtra,

gjuha juaj ka belbëzuar fajësi.

Askush nuk bën padi me drejtësi,

s’ka njeri që të gjykojë me vërtetësi.

Besojnë në kotësi e thonë gënjeshtra,

ngjizin ligësi e pjellin paudhësi.

Thyejnë vezët e nepërkës, që të çelin,

tjerrin pëlhura merimange.

Kush ha nga vezët e tyre, vdes,

prej vezës së thyer lind nepërka.

Pëlhurat e tyre s’vlejnë për rroba,

me prodhimet e tyre s’mbulohen dot.

Vepra e tyre është vepër paudhësie,

në duar mbartin frytet e dhunës.

Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes,

nxitojnë të derdhin gjak të pafajshëm,

mendimet e tyre janë mendime paudhësie,

shkretim e rrënim janë shtigjet e tyre.

Udhën e paqes nuk e njohin,

në hapat e tyre s’ka drejtësi,

shtigjet i kanë bërë tërë dredha,

kush shkel mbi to, s’ka paqe.

Prandaj qëndron larg nesh e drejta,

drejtësia s’arrin te ne.

Pritnim dritën, por ja tek erdhi errësira,

pritnim ndriçimin e ja tek ecim në terr.

10 Ecim duke prekur murin si i verbëri,

si ata që s’kanë sy ecim verbazi.

Pengohemi në mes të ditës si të ishte muzg,

mes të gjallëve endemi si të vdekur.

11 Ulërijmë të gjithë si arinjtë,

gugatim thekshëm si pëllumbat.

Presim drejtësinë, por më kot,

shpëtimi është larg nesh.

12 Të shumta janë shkeljet tona para teje,

mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh.

Po, shkeljet tona janë gjithmonë me ne,

paudhësitë tona i njohim mirë.

13 U ngritëm kundër dhe e mohuam Zotin,

i kthyem shpinën Perëndisë tonë.

Folëm për shtypje e për kryengritje,

në zemër ngjizëm e pëshpëritëm fjalë mashtrimi.

14 Kështu e drejta u zmbraps,

drejtësia larg qëndroi,

e vërteta u pengua shesheve,

ndershmëria brenda s’mund të hyjë.

15 Kështu, e vërteta po humbet

dhe ai që i shmanget së keqes

bie pre e plaçkitjes.

Zoti pa e s’i pëlqeu,

se nuk ka më drejtësi.

16 Pa se nuk u gjend askush,

u habit që askush s’ndërhyri.

Prandaj e ndihmoi me krahun e tij,

e mbështeti me drejtësinë e tij.

17 Si parzmore veshi drejtësinë,

mbi kokë vuri përkrenaren e shpëtimit,

u vesh me petkat e hakmarrjes,

u mbështoll me zellin si me rrobë.

18 Do t’i shpaguajë sipas veprave të tyre,

zemërim kundërshtarëve, ndëshkim armiqve,

do t’i shpaguajë edhe popujt e ishujve.

19 Në perëndim do ta druajnë emrin e Zotit,

në lindje të diellit, lavdinë e tij,

kur ai të vijë si përrua i rrëmbyer

që e shtyn fort era e Zotit.

20 Një shpengues do të vijë në Sion

për bijtë e Jakobit që pendohen për paudhësinë,

kumton Zoti.

21 Sa për mua,

kjo është besëlidhja ime me ta, thotë Zoti:

Shpirti im do të jetë mbi ty

dhe fjalët e mia, që i vura në gojën tënde,

nuk do të largohen as prej gojës sate,

as prej gojës së pasardhësve të tu

e as prej gojës së bijve të pasardhësve të tu,

thotë Zoti,

që tani e deri në amshim.