Isaia 58

Agjërimi i drejtë

Bërtit fort! Mos u përmba!

Ngrije zërin porsi boria!

Shpallja popullit tim paudhësitë e veta,

shtëpisë së Jakobit mëkatet e veta.

Ditë për ditë më kërkojnë,

udhët e mia duan t’i njohin,

si të ishin një popull, që zbaton drejtësinë,

që nuk i braktis vendimet e Perëndisë.

Kërkojnë prej meje gjykim të drejtë,

dëshirojnë t’i afrohen Perëndisë.

«Përse të agjërojmë, kur ti nuk shikon?», thonë.

«Përse ta mundojmë veten, kur ti nuk do t’ia dish?».

Ja, ditën e agjërimit ju bëni si doni

e të gjithë punëtorët tuaj në punë i mbytni.

Ju agjëroni mes grindjesh e zënkash,

njëri-tjetrin pabesisht me grusht e gjuani.

Nëse agjëroni si sot,

zëri juaj lart nuk do të dëgjohet.

Përse, i tillë qenka agjërimi që unë pëlqej?

E tillë dita kur njeriu përul shpirtin e tij?

Të ulësh kokën porsi xunkthi e

të shtrihesh në grathore e në hi,

pse, këtë quan agjërim

e ditë që i pëlqen Zotit?

Agjërimi që më pëlqen mua, a s’është vallë

të këputësh vargonjtë e paudhësisë,

të zgjidhësh litarët e zgjedhës,

të lësh të lirë të shtypurit,

të dërrmosh çdo zgjedhë?

A s’është ta ndash bukën me të uriturin,

të presësh në shtëpi të varfrin e pastrehë,

ta shohësh dikë të zhveshur e ta veshësh,

dhe farefisin tënd të mos e lësh pas dore?

Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi,

shërimi yt do të gëlojë me vrull,

përpara do të të prijë drejtësia jote,

praparojë do të kesh lavdinë e Zotit.

Atëherë do të thërrasësh

Zoti do të të dëgjojë,

do t’i kërkosh ndihmë

e do të të përgjigjet: «Ja, ku jam!».

Nëse heq dorë prej zgjedhës,

prej gishtit paditës e fjalëve të liga,

10 nëse jepesh me shpirt ndaj të pangrënit,

nëse ia ngin barkun skamnorit,

atëherë drita jote do të shndritë në errësirë

e terri yt do të jetë porsi mesdita.

11 Zoti do të të prijë përherë,

do të ta kënaqë shpirtin në shkreti,

do t’i forcojë kockat e tua,

e ti do të jesh si kopshti i ujitur,

porsi burimi i ujërave

që nuk shterojnë kurrë.

12 Njerëzit e tu do t’i ndërtojnë rrënojat e lashta,

do t’i ngresh sërish themelet e lëna brez pas brezi.

Kështu ti do të quhesh: «Rindërtuesi i rrënojave,

ndreqësi i udhëve për në vendbanim».

13 Nëse e përmban këmbën,

që të mos e shkelësh të shtunën,

nëse nuk bën ç’të duash

në ditën time të shenjtë,

por e çmon si kënaqësi të shtunën,

si ditën e nderuar e të shenjtë të Zotit,

dhe e nderon duke mos u nisur për udhë,

duke mos kryer punë e duke mos bërë marrëveshje,

14 atëherë do të gjesh kënaqësi në Zotin

e unë do të të bëj të kalërosh mbi lartësitë e tokës,

do të të ushqej prej trashëgimisë së Jakobit, atit tënd,

se kështu ka folur goja e Zotit.