Isaia 57

Qortim idhujtarisë

Po merr fund i drejti

e askush nuk shqetësohet!

Njerëzit besnikë po shfarosen

e askush s’e vret mendjen!

Po, i drejti po degdiset

prej së keqes!

Por, paqja vjen,

kush ecën udhës së drejtë,

do të prehet në shtratin e vet.

Afrohuni këtu, o bij të shortares,

bij të të përdalit e të lavires.

Me kë talleni?

Kundër kujt hapni gojën e nxirrni gjuhën?

A s’jeni ju bij të paudhësisë

e pjellë e mashtrimit?

Ju ndizeni në epshe ndër lisa,

poshtë çdo peme të harlisur.

Fëmijët tuaj i flijoni nëpër lugina,

nëpër të çarat e shkëmbinjve.

Mes rrëpirave të luginës është pjesa jote,

ato, po, ato janë çka të takon.

Atyre u kushtove fli stërpikjeje,

fli drithi u blatove.

Mos vallë prej tyre

u dashka të zbutem?

Mbi mal të lartë e të thepisur u ngjite

e atje shtratin tënd e vure.

Atje lart u ngjite

fli për të kushtuar.

Pas derës e pas pragut

i vure përkujtimoret e tua.

Fshehtas meje u zhveshe,

mbi shtrat u ngjite

e shtratin e zgjerove.

Marrëveshje me ta ti bëre,

shtratin e tyre fort e dëshirove,

lakuriqësinë me ëndje ua vështrove.

Shkove te mbreti e lyer me vaj,

e lyer me shumë erëra të mira.

Deri larg i nise lajmëtarët e tu

dhe zbrite deri në skëterrë.

10 Prej udhës së gjatë u lodhe,

por nuk the: «Është e kotë!».

I mblodhe forcat sërish,

prandaj dhe nuk u këpute.

11 Prej kujt u tute e pate frikë, që të gënjeje,

të më harroje e të mos më kishe për zemër?

Kam heshtur për një kohë të gjatë,

prandaj dhe nuk ma ke frikën.

12 Ja, unë do ta shpall hapur drejtësinë tënde

bashkë me veprat e tua,

por kjo s’do të të sjellë dobi.

13 Kur të bërtasësh,

le të të shpëtojë moria e idhujve të tu.

Por ata do t’i marrë era,

do t’i përpijë puhiza.

Por, kush kërkon strehë tek unë,

do të trashëgojë tokën,

do të zotërojë malin tim të shenjtë.

14 «Sheshoni, sheshoni, shtrojeni udhën!», do të thuhet,

«Hiqini pengesat nga udha e popullit tim!».

15 Se kështu thotë i Larti e i Tejlarti,

ai që banon në amshim,

emri i të cilit është i shenjtë:

Në vend të lartë e të shenjtë banoj,

por edhe pranë atij që pendohet

e atij që ka përulësi në shpirt,

për t’ua përtërirë shpirtin të përulurve,

për t’ua përtërirë zemrën të penduarve.

16 Ja, unë nuk dua të grindem përherë

as dua të jem i zemëruar përgjithmonë,

se para meje do të këputej çdo shpirt

e çdo qenie që unë kam krijuar.

17 Prej paudhësisë së tij të pangopur u zemërova,

e godita e i zemëruar prej tij u fsheha.

E ai u end me kokëfortësi

udhës së zemrës së vet.

18 I njoh mirë udhët e tij,

por dua ta shëroj.

Do t’i prij, do ta ngushëlloj sërish

atë vetë dhe ata që vajtojnë me të.

19 n Do të vë fjalë hareje në buzët e tij.

Paqe, paqe për atë që është larg e afër,

thotë Zoti, e do ta shëroj.

20 Të paudhët janë si deti i trazuar,

që nuk di të qetësohet,

ujërat e tij nxjerrin llucë e baltë.

21 Nuk ka paqe për të paudhët,

thotë Perëndia im.


 n57.19 të tjerë: Unë krijoj frytin e buzëve