Isaia 56

Shpëtimi i popujve

Kështu thotë Zoti:

Mbajeni të drejtën,

zbatojeni drejtësinë,

se shpëtimi im po afron,

drejtësia ime po shfaqet.

Lum njeriu që vepron kështu

dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj,

që e mban të shtunën pa e përdhosur,

që i ruan duart nga çdo ligësi.

Biri i të ardhurit, që është bashkuar me Zotin,

të mos thotë:

«Zoti do të më ndajë patjetër nga populli i vet»

e as eunuku të mos thotë:

«Ja, unë jam një pemë e tharë».

Se kështu u thotë Zoti:

«Eunukëve që i mbajnë të shtunat e mia,

që zgjedhin të plotësojnë dëshirën time

e që ruajnë besëlidhjen time,

do t’u jap në shtëpinë time,

brenda mureve të mia,

një vend përkujtimi

dhe një emër më të mirë

se të kenë bij e bija.

Do t’u jap një emër të amshuar,

që s’do të shuhet kurrë.

Ndërsa bijtë e të ardhurve

që janë bashkuar me Zotin

e që i shërbejnë atij,

që e duan emrin e Zotit

e janë vënë në shërbim të tij,

të gjithë sa e mbajnë të shtunën pa e përdhosur

e që e ruajnë besëlidhjen time,

do t’i shpie në malin tim të shenjtë

e do t’u jap gëzim në shtëpinë time të lutjes.

Flitë e tyre të shkrumbimit e theroret e tyre

do të pranohen në altarin tim,

se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh

për të gjithë popujt».

Kështu kumton Zoti, Zoti im,

ai që i mbledh të degdisurit e Izraelit:

përveç atyre që kam mbledhur,

do të mbledh edhe të tjerë përreth tyre.

Mbarë ju, o egërsirat e fushës,

ejani të hani,

të gjitha ju, o kafshët e pyllit!

10 Të gjithë rojtarët e tij janë verbuar,

të paditur janë të tërë.

Janë të gjithë qen të pagojë,

të paaftë për të lehur.

Shohin ëndrra, rrinë shtrirë,

u pëlqen të dremitin.

11 Janë qen grykës, që s’dinë të ngopen,

janë barinj, që s’kuptojnë asgjë.

Secili prej tyre endet udhës së vet,

secili synon përfitimin e vet.

12 «Ejani», thonë, «Të pimë verë,

të dendemi me pije të forta.

E nesërmja do të jetë si sot,

madje edhe më mirë».