Isaia 55

Le të vijnë të eturit

O ju të gjithë që keni etje,

ejani tek uji!

Kushdo që s’ka para le të afrohet!

Blini drithë e hani!

Ejani e blini verë e qumësht

pa para e pa pagesë!

Pse i shpenzoni paratë për çka s’është bukë?

Përse mundoheni për gjëra që s’ngopin?

Dëgjomëni, pra, me kujdes mua

e do të hani çka është e mirë

dhe shpirti juaj do të kënaqet

me gjëra të shijshme.

Mbani vesh dhe ejani tek unë!

Dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!

Do të lidh me ju një besëlidhje të amshuar,

mirësinë e patundshme që i premtova Davidit.

Ja, atë e bëra dëshmitar për popujt,

prijës e udhëheqës për kombet.

Kështu, do të thërrasësh një komb që s’e njihje,

kombe, që s’të njihnin, do të vrapojnë te ti,

për shkak të Zotit, Perëndisë tënd,

të shenjtit të Izraelit, që të madhëroi.

Kërkojeni Zotin ndërsa mund të gjendet,

thirrini atij për sa kohë është afër.

Le të lërë i ligu udhën e tij,

i paudhi synimet e tij,

le të kthehet te Zoti, që ta mëshirojë,

te Perëndia ynë, që fal me gjithë zemër.

Se mendimet e mia nuk janë si tuajat,

as udhët e mia si udhët tuaja,

kumton Zoti.

Sa larg është qielli nga toka,

aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja,

mendimet e mia nga mendimet tuaja.

10 Sikurse shiu dhe dëbora zbresin prej qiellit

e më atje nuk kthehen,

por e ujitin dhe e zbrujnë tokën,

e bëjnë të jetë pjellore,

që t’i japë bujkut farën për të mbjellë

e bukën për të ngrënë,

11 ashtu edhe fjala ime, që del prej gojës sime,

s’do të kthehet pas tek unë e zbrazët,

pa ia dalë mbanë gjithçkaje që unë dua

e pa bërë atë për çka e dërgova.

12 Ju do të niseni me gëzim prej andej

e në paqe do të përcilleni.

Para jush malet e kodrat

do të shpërthejnë në britma gëzimi,

të gjitha pemët e fushave

do të trokasin duart.

13 Në vend të ferrave do të rritet qiparisi,

në vend të hithrave do të rritet mërsina.

Kjo do të jetë nder për Zotin,

shenjë e amshuar, që s’do të zhbihet.