Isaia 50

Mëkatet e Izraelit

Kështu thotë Zoti:

ku është fletëndarja e nënës tënde,

me të cilën unë e paskam dëbuar?

Kush është huadhënësi,

tek i cili ju paskam shitur?

Ja, u shitët prej paudhësive tuaja,

prej shkeljeve tuaja u dëbua nëna juaj.

Përse kur erdha nuk ishte askush,

kur thirra, nuk u përgjigj kurrkush?

Pse, qenka shkurtuar dora ime,

që të mos ju shpengoj?

Pse, më paskan lënë fuqitë,

që të mos ju çliroj?

Ja, me një kërcënim e thaj detin,

të shkretë i bëj lumenjtë,

qelbet peshku i tyre për mungesë uji,

ngordhin ata nga etja.

Unë i vesh qiejt në të zi,

grathoren për mbulesë u vë.

Bindja e shërbëtorit të Zotit

Zoti Perëndi më dha gjuhë nxënësi,

që me fjalë t’i jap forcë të lodhurit.

Çdo mëngjes herët ma bën gati veshin,

që të dëgjoj, siç dëgjon nxënësi.

Zoti Perëndi m’i ka hapur veshët

e unë s’ngrita krye e as nuk u tërhoqa.

Shpinën ua ktheva atyre që më godisnin,

faqet atyre që më shkulnin mjekrën,

fytyrën unë nuk e fsheha

prej sharjeve e të pështyrave.

Zoti Perëndi, ai më ndihmon,

prandaj dhe s’mbeta i poshtëruar,

fytyrën e bëra të fortë si stralli,

sepse e di se s’do të turpërohem.

Pranë meje është ai që më jep të drejtë,

kush mund të bëjë gjyq me mua?

Le të dalim bashkë para gjykatësit,

kush do të jetë kundërshtari im?

Le të vijë pranë meje!

Ja, Zoti Perëndi, ai më ndihmon,

kush është ai që do të më dënojë?

Të gjithë do të vjetrohen si rroba,

tenja ka për t’i brejtur.

10 Kush prej jush e druan Zotin,

le ta dëgjojë zërin e shërbëtorit të tij.

Kush ecën në errësirë e nuk ka dritë,

le të shpresojë tek emri i Zotit

e të mbështetet te Perëndia i tij.

11 E të gjithë ju që ndizni zjarr

e që ngjisheni me shigjeta zjarri,

shkoni në flakët e zjarrit tuaj

mes shigjetave që keni ndezur.

Këtë gjë do t’jua bëjë dora ime,

me dhimbje në shtrat do të lëngoni.