Isaia 5

Vreshti i Zotit

Do t’i këndoj të dashurit tim një këngë,

këngën e të dashurit tim për vreshtin e tij,

vreshtin, që i dashuri im

mbi një kodër pjellore e kishte.

E thuri, e pastroi nga gurët,

me hardhi të zgjedhura e mbolli,

në mes të tij një kullë ndërtoi,

torkun brenda tij gërmoi.

Priste t’i bënte rrush,

por i dha veç larushk.

E ju, o banorë të Jerusalemit,

e ju, o burra të Judës,

mes meje e vreshtit tim gjykoni!

Ç’të bëj më për vreshtin tim,

që ende s’e paskam bërë?

Tek prisja të më bënte rrush,

përse dha vetëm larushk?

E tani më lejoni t’ju dëftej

se ç’do t’i bëj vreshtit tim:

do t’ia shthur gardhin,

që të bëhet djerr,

do t’ia rrëzoj ledhet,

që ta shkelin me këmbë.

Do ta lë të mbesë i shkretë,

pa krasitje e pa prashitje,

që të mbijnë ferra e gjemba.

Reve do t’u urdhëroj,

të mos ia lëshojnë shiun.

Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit,

filizat e tij të zgjedhur janë banorët e Judës.

Priti të vepronin drejt

e ja, veç gjakderdhje,

priti të bënin drejtësi

e ja, veç gulçime.

Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi,

mjerë kush arës i shton arë!

Në fund s’do të ketë më vend,

vetmitarë do të jeni në mes të tokës.

Në veshët e mi Zoti i ushtrive u betua:

vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta,

të mëdha e aq të bukura, por pa banorë.

10 Tre hektarë vreshta veç një vozë verë,

dhjetë thasë farë veç një thes fare.

11 Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse

e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë.

12 Në festat e tyre ka harpa e qeste,

dajre, fyej e verë,

por as që duan t’ia dinë për veprën e Zotit,

bëmat e duarve të tij as që i vënë re.

13 Ndaj populli im do të degdiset nga padija,

prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij,

turmat do t’i përvëlojë etja.

14 Skëterra e ka hapur mirë grykën,

gojën e ka shqyer gjerë e gjatë.

Në të do të bien fisnikët e turmat,

ajo shamatë e tërë ajo festë.

15 Njeriu do të poshtërohet,

shumë poshtë do të bjerë,

vështrimi i krenarëve do të përulet.

16 Do të lartësohet Zoti i ushtrive,

kur të shpallë gjykim,

Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë,

kur të bëjë drejtësi.

17 Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre,

të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve.

18 Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit,

tërheqin pas vetes paudhësinë,

dhe mëkatin me litarët e qerres.

19 E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij,

që ta shohim,

të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit,

që ta njohim».

20 Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë

e të mirën të keqe,

që terrin e mbajnë për dritë

e dritën për errësirë,

që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël

e të ëmblën për të hidhur.

21 Mjerë ata që mbahen për të urtë,

që kujtojnë se janë të mençur.

22 Mjerë ata që janë trima për të pirë verë

e mjeshtra për të përzier pijet dehëse,

23 që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë

e të drejtit ia mohojnë drejtësinë.

24 Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën

e flaka përpin bykun,

ashtu do t’u kalbet rrënja

e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri,

se e hodhën poshtë ligjin e Zotit të ushtrive,

e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit.

25 Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit,

prandaj e shtriu dorën për t’i goditur.

Malet fort u trandën

e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët,

por zemërimi i tij nuk u fashit

e dora e tij është ende e shtrirë.

26 Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta,

do t’u fërshëllejë deri në skajet e tokës

e, ja, kur t’ia behin shpejt e vetëtimthi.

27 Asnjë s’është i lodhur apo i këputur,

asnjë nuk dremit e nuk përgjumet,

Brezi nga ijët nuk u zgjidhet,

rripat e sandaleve nuk u këputen.

28 Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura,

thundrat e kuajve të forta si gur stralli,

rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës.

29 Ulërima e tyre si ulërimë luani,

ulërijnë si këlyshë luani.

Hungërojnë, zënë prenë,

në vend të sigurt e shpien

e askush nuk ua rrëmben.

30 Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti,

Do të hedhin sytë mbi vendin,

do të shohin errësirë e fatkeqësi,

dritën të errësuar prej reve.