Isaia 49

Shërbëtori i Zotit

Dëgjomëni, o ujdhesa,

bëni kujdes, o popuj të largët!

Zoti më thirri që në ngjizje,

e kujtoi emrin tim

që kur isha në bark të nënës.

Gojën time e bëri si shpata e mprehtë,

nën hijen e dorës së tij më mbajti fshehur,

më bëri të jem një shigjetë që shndrin,

në kukurën e vet ai më fshehu.

E më tha: «Ti je shërbëtori im, o Izrael,

në të cilin do të dëftej lavdinë time».

E unë thashë: «Më kot u mundova,

më kot i shterova fuqitë e mia,

e drejta ime është pranë Zotit,

shpërblimi im është te Perëndia im».

Kështu thotë tani Zoti,

ai që më dha trajtën e shërbëtorit të vet

që në barkun e nënës,

për të kthyer tek ai Jakobin,

për të mbledhur rreth tij Izraelin.

U bëra i lavdishëm në sytë e Zotit,

Perëndia im u bë fuqia ime.

Ai më tha: «Tepër pak është të jesh shërbëtori im,

për të ringritur fiset e Jakobit,

për të rikthyer tepricën e Izraelit.

Po të caktoj si dritë të popujve,

që të jesh shpëtimi im deri në skajet e tokës».

Kështu i thotë Zoti, shpenguesi i Izraelit,

i shenjti i Izraelit, atij që e përbuzin njerëzit,

atij që e përçmojnë kombet, skllavit të sundimtarëve:

Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë,

princat do të bien përmbys,

për shkak të Zotit, që është besnik,

të shenjtit të Izraelit, që të zgjodhi ty.

Përtëritja e Izraelit

Kështu thotë Zoti:

Në kohën e duhur të jam gjendur,

ditën e shpëtimit të kam ndihmuar.

Të kam ruajtur,

të kam caktuar të jesh besëlidhja e popullit,

që vendin ti ta përtërish,

që të rindash trashëgimitë e shkatërruara,

për t’u thënë të burgosurve: «Dilni!»,

atyre që janë në errësirë: «Shfaquni!».

Përgjatë udhëve do të kullotin,

kullotat do t’i kenë mbi çdo kodër të zhveshur.

10 Nuk do të kenë uri, nuk do të kenë etje,

nuk do t’u bjerë as vapa e as dielli,

se do t’u prijë ai që ka mëshirë për ta,

nëpër burime ujërash do t’i çojë.

11 Gjithë malet e mia në udhë do t’i kthej,

rrugët e mia të mëdha më lart do t’i ngre.

12 Ja, këta do të vijnë nga larg,

ata nga veriu e perëndimi,

të tjerë nga dheu i Sinimit.

13 Ngazëlloni, o qiej, gëzohu ti, o tokë,

brohoritni ju, o male,

se Zoti e ngushëllon popullin e vet,

është i mëshirshëm me të varfrit e tij.

14 Sioni tha: «Më braktisi Zoti,

Zoti më ka harruar».

15 A mund ta harrojë gruaja foshnjën e vet

e të mos i dhimbset fryti i barkut të vet?

Por edhe sikur ato të harronin,

unë ty nuk të harroj!

16 Ja, të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia,

muret e tua gjithmonë para syve i kam.

17 Bijtë e tu po vijnë me nxitim,

ata që të rrënuan e të shkatërruan po ikin prej teje.

18 Ngriji sytë rreth e qark e shiko,

të gjithë po mblidhen e po vijnë te ti!

Pasha jetën time, kumton Zoti,

do t’i veshësh të gjithë si stoli,

porsi nusja do të ngjishesh me ta.

19 Se rrënojat e gërmadhat e tua,

bashkë me vendet e tua të shkretuara,

të ngushta do të jenë tani për banorët e tu,

ndërsa ata që të përpinin, larg do t’ia mbathin.

20 Edhe bijtë e atyre që t’i kishin rrëmbyer

do të të thonë në vesh:

«Tepër i ngushtë është ky vend për mua,

më bëj vend, që të mund të banoj».

21 Atëherë ti do të thuash në zemër:

«Po këta prej kujt më lindën?

Unë nuk mund të lindja dhe shterp isha,

në mërgim dhe dëbuar kam qenë.

Po këta kush i rriti?

Ja, unë kisha mbetur vetëm,

këta, vallë, nga më dolën?».

22 Kështu thotë Zoti Perëndi:

Ja, do ta ngre dorën drejt kombeve,

për nga popujt do ta ngre flamurin.

Në krahë do t’i sjellin atëherë bijtë e tu,

bijat e tua do t’i mbajnë mbi supe.

23 Mbretërit do të jenë birësuesit e bijve të tu,

princeshat e tyre, mëndeshat e tua.

Me fytyrë përdhe do të përkulen para tyre,

do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua.

Atëherë do ta dish se unë jam Zoti,

ata që shpresojnë në mua s’do të turpërohen.

24 A mund t’i merret vallë preja të fortit?

A mund të shpëtojë i drejti prej robëruesit?

25 Se kështu thotë Zoti:

Robërit do t’i merren edhe të fortit,

preja do t’i rrëmbehet tiranit.

Kundërshtarëve të tu do t’u kundërvihem

e bijtë e tu do t’i shpëtoj.

26 Ata që të shtypin do t’i bëj të hanë mishin e vet,

si me musht me gjakun e vet do të dehen.

Çdo qenie atëherë do ta dijë

se unë jam Zoti, shpëtimtari yt,

jam shpenguesi yt, i fuqishmi i Jakobit.