Isaia 48

Kokëfortësia e Izraelit

Dëgjoje këtë, o shtëpi e Jakobit,

ju që mbani emrin e Izraelit,

që keni dalë prej burimeve të Judës,

që betoheni në emër të Zotit,

që përkujtoni Perëndinë e Izraelit,

por pa besnikëri e drejtësi.

Ata mbajnë emrin e qytetit të shenjtë

dhe mbështeten te Perëndia i Izraelit,

që e ka emrin Zoti i ushtrive.

Unë i shpalla që më parë gjërat e shkuara,

prej gojës sime dolën, unë i lajmërova.

Veprova menjëherë e ato ndodhën.

Sepse e dija se je kokëfortë,

se zverku yt është shufër hekuri

e se ballin e ke prej bronzi.

Që atëherë ta parathashë,

para se të ndodhte të lajmërova,

që të mos thuash: «Këtë e bëri idhulli im.

Shëmbëlltyra e gdhendur,

bashkë me shtatoren e shkrirë,

i urdhëruan këto».

E dëgjove këtë dhe e ke parë me sy,

përse nuk dashke ta pohosh?

E tani po të shpall gjëra të reja,

të fshehta, që s’i ke ditur më parë.

Këto sapo u bënë e nuk janë qëmoti,

para ditës së sotme, s’i kishe dëgjuar,

që të mos thuash: «Ja, unë i dija!».

Jo, as i ke dëgjuar, as i ke ditur,

veshi yt nuk ka qenë hapur asokohe.

Ja, unë e dija se me pabesi do të veproje,

se do të quheshe «kryeneç» që në bark të nënës.

Për hir të emrit tim do ta mbaj zemërimin,

për lavdinë time do të përmbahem ndaj teje,

që mos të të shfaros.

10 Ja, të pastrova, por jo si argjendin,

të sprovova në furrën e mjerimit.

11 Për vete, për veten time e bëra këtë,

që të mos më shajnë;

lavdinë time tjetërkujt s’ia jap.

Çlirimi i Izraelit

12 Më dëgjo, o Jakob,

dhe ti, o Izrael, i thirruri im:

Unë jam po ai, unë jam i pari

dhe unë jam i fundit.

13 Me dorën time e themelova tokën,

me të djathtën time i shtriva qiejt.

Kur unë u thërras,

paraqiten të gjithë bashkë.

14 Bashkohuni të gjithë e dëgjoni!

Cili prej tyre i ka parathënë këto?

Ai që e do Zotin,

do të bëjë dëshirën e tij,

kundër Babilonisë e kundër kaldenjve

do ta ngrejë krahun e tij.

15 Unë, unë fola dhe e thirra,

unë e solla dhe mbarë do t’i shkojë udha.

16 Afrohuni tek unë, dëgjojeni këtë:

që në fillim, kurrë nuk fola fshehtazi,

qëmoti, para se të ndodhte, unë isha aty;

e tani Zoti Perëndi

më dërgoi, bashkë me shpirtin e tij.

17 Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,

i shenjti i Izraelit:

Unë jam Zoti, Perëndia yt,

ai që të mëson për të mirën tënde,

që të prin udhës ku duhet të shkosh.

18 Po të kishe qenë i kujdesshëm me urdhërimet e mia,

si lumi do të rridhte paqja jote,

drejtësia jote si valët e detit.

19 Fara jote do të kishte qenë si rëra,

pasardhësit e tu porsi kokrrat e saj,

emri i tij nuk do të ishte shuar,

nuk do të ishte fshirë para meje.

20 Dilni prej Babilonisë,

ikni larg kaldenjve!

Lajmëroni me zë gëzimi,

shpalleni këtë,

dërgoni lajm deri në skajet e tokës,

thoni: «E shpengoi Zoti shërbëtorin e tij, Jakobin».

21 S’patën etje kur nëpër shkretëtirë u printe,

nxori për ta ujë prej shkëmbit,

e çau shkëmbin e rrodhën ujërat.

22 Nuk ka paqe, thotë Zoti,

për të paudhët.