Isaia 45

Kiri, vegël e Zotit

Kështu thotë Zoti për Kirin, të vajosurin e tij:

e kam kapur nga dora e tij e djathtë,

për të nënshtruar para tij kombet,

për t’ua hequr brezin nga ijët mbretërve,

dyert para tij për t’i hapur

e portat pas tij s’do të mbyllen.

Para teje do të eci unë

e maloret do t’i rrafshoj,

portat prej bronzi do t’i copëtoj,

shulat prej hekuri do t’i thyej.

Do të të jap thesare të fshehta,

pasuri të ruajtura në fshehtësi,

që ta dish se unë jam Zoti,

Perëndia i Izraelit, që të thirra me emër.

Për hir të shërbëtorit tim, Jakobit,

dhe Izraelit, të zgjedhurit tim,

unë të kam thirrur në emër.

Ta bëra këtë nder,

ndonëse ti nuk më njihje.

Unë jam Zoti e tjetër s’ka,

përveç meje nuk ka Perëndi,

unë t’i kam ngjeshur armët,

ndonëse ti nuk më njihje,

që ta dinë prej lindjes së diellit

e deri në perëndim,

se tjetër veç meje s’ka.

Unë jam Zoti e tjetër s’ka.

Unë i jap trajtë dritës,

unë e krijoj natën,

unë e sjell paqen,

unë e shkaktoj fatkeqësinë.

Unë, pra, jam Zoti,

që i krijoi të gjitha këto.

Vesoni, o qiej, prej së larti,

o re, pikëloni drejtësi,

le të hapet toka, le të prodhojë shpëtim,

le të bëjë të mbijë edhe drejtësia.

Unë jam Zoti,

unë i kam krijuar.

Zoti i gjithëpushtetshëm

Mjerë kush i kundërvihet krijuesit të vet,

se një copëz ene prej balte është!

A mund t’i thotë balta poçarit: «Ç’po bën?»

apo t’i thotë: «Vepra jote nuk paska vegë?».

10 Mjerë kush i thotë atit të vet: «Ç’paske lindur?»

apo nënës së vet: «Ç’paske pjellë kështu?».

11 Kështu thotë Zoti, i shenjti i Izraelit,

ai që të dha trajtë:

pse, për të ardhmen e bijve të mi

dashkeni të më pyesni?

Për veprën e duarve të mia

dashkeni të më urdhëroni?

12 Unë e krijova tokën,

njeriun mbi të unë e bëra.

Unë i shpalosa qiejt me duart e mia,

mbarë ushtrinë qiellore unë e urdhëroj.

13 Unë e ngrita, pra, Kirin, që të bëjë drejtësi,

e të gjitha udhët do t’ia drejtoj.

Ai do ta ndërtojë qytetin tim,

të robëruarit e mi ai do t’i kthejë,

pa shpërblim e pa dhurata,

thotë Zoti i ushtrive.

14 Kështu thotë Zoti:

Prodhimi i Egjiptit, tregtia e Kushit

e trimat shtatlartë të sabaitëve

te ti do të kalojnë e të tutë do të jenë,

pas teje do të vijnë,

të prangosur do të ecin,

para teje do të përkulen,

ty do të të përgjërojnë duke thënë:

«Vetëm me ty është Perëndia,

Perëndi tjetër veç tij nuk ka».

15 Vërtet ti je Perëndi i fshehur,

Perëndia i Izraelit, shpëtimtari!

16 Do të turpërohen e do të skuqen të gjithë,

të turpëruar do të ecin ata që bëjnë idhujt.

17 Izraeli është i shpëtuar nga Zoti,

me shpëtim të amshuar,

nuk do të turpërohet e nuk do të skuqet

për gjithë amshimin.

18 Se kështu thotë Zoti, që krijoi qiejt,

ai, Perëndia, që i dha trajtë tokës dhe e krijoi,

që ia vuri themelet

e të shkretë nuk e bëri,

por e krijoi që të banohet:

Unë jam Zoti

e tjetër s’ka.

19 Nuk kam folur në fshehtësi,

në një qoshe të errët të tokës.

Nuk u thashë pasardhësve të Jakobit,

që të më kërkojnë në vend të shkretë.

Unë jam Zoti, të drejtën them

e drejtësinë shpall.

20 Ejani e mblidhuni,

afrohuni të gjithë ju, o të mbijetuarit e kombeve.

Asgjë s’dinë ata që mbartin idhuj druri

e i luten një hyjnie që s’i shpëton dot.

21 Flisni, pra, dhe parashtrojeni çështjen,

këshillohuni të gjithë së bashku!

Kush e paratha këtë qëmoti,

kush e shpalli këtë që më parë?

A nuk isha unë, Zoti?

Perëndi tjetër veç meje s’ka.

Perëndi të drejtë e shpëtimtar

përveç meje nuk ka.

22 Kthehuni tek unë e shpëtoni,

mbarë ju, o skajet e dheut!

Se unë jam Perëndia,

tjetër veç meje s’ka!

23 Jam përbetuar për veten time,

nga goja ime ka dalë drejtësi,

një fjalë që s’do të merret mbrapsht,

se para meje do të përkulet çdo gju

e çdo gjuhë do të betohet për mua.

24 Do të thonë për mua: «Vetëm në Zotin

e gjej drejtësinë e forcën».

Tek ai do të vijnë të turpëruar

të gjithë sa qenë zemëruar kundër tij.

25 Në Zotin do të bëhen të drejtë

e do të përlëvdohen mbarë pasardhësit e Izraelit.