Isaia 44

Bekime për Izraelin

E tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im,

dhe ti, o Izrael, i zgjedhuri im.

Kështu thotë Zoti, që të krijoi,

që të dha trajtë që në ngjizje, ndihmëtari yt:

mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob,

o Jeshurun, i zgjedhuri im.

Se do të dikoj ujëra mbi tokë të etur,

përrenj në tokë të thatë,

shpirtin tim do të dikoj mbi farën tënde,

bekimin tim mbi pasardhësit e tu.

Do të rriten ata mes barit,

si shelgjet pranë rrjedhave të ujit.

Njëri do të thotë: «I Zotit jam unë»,

tjetri do të mbajë emrin e Jakobit.

Një tjetër do të shkruajë me dorën e vet: «I Zotit jam»

dhe emrin e Izraelit do të mbajë.

Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit,

shpenguesi i tij, Zoti i ushtrive:

unë jam i pari dhe unë jam i fundit,

Perëndi tjetër veç meje s’ka!

Kush është si unë? Le ta thotë fort!

Le ta shpallë e të ma parashtrojë!

Siç i parathashë gjëra të së ardhmes një populli të lashtë,

le t’u parathotë edhe ai gjëra që do të ndodhin.

Mos u trembni, mos kini frikë!

A nuk jua shpalla e s’jua thashë që më parë?

Ju jeni dëshmitarët e mi!

A ka Perëndi tjetër veç meje?

Tjetër Shkëmb nuk ka

e unë nuk njoh askënd.

Marria e idhujtarisë

Punuesit e idhujve janë të gjithë një hiç,

veprat e tyre të çmuara s’vlejnë asgjë,

dëshmitarët e tyre as shohin, as marrin vesh,

e kështu do të turpërohen.

10 Kush punoi ndonjë hyjni

apo shkriu ndonjë idhull,

pa kërkuar përfitim?

11 Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar,

se punuesit e tyre s’janë veçse njerëz,

le të mblidhen të gjithë bashkë e të dalin para,

do të dridhen të gjithë e do të turpërohen.

12 Farkëtari e punon hekurin me darë në zjarr,

trajtën ia jep me çekiçë,

e rreh me krahun e tij të fuqishëm.

E merr mandej uria dhe e lënë fuqitë,

ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.

13 Gdhendësi e shtrin fijen për të matur drurin,

dhe i vë shenjat me laps,

e punon drurin me daltë,

me rrethor ia shënon anët.

I jep mandej trajtë njeriu,

një pamje të bukur njeriu,

për ta vënë në një tempull.

14 Pret për vete disa cedra,

merr qiparis e dru lisi,

shkon e zgjedh dru në pyll,

mbjell cedër dhe shiu e rrit.

15 Ato i janë dhënë njeriut për t’i djegur,

merr njeriu ndonjë prej tyre e ngrohet,

ndez zjarrin e pjek bukën.

Por bën edhe ndonjë hyjni e përkulet para saj,

bën ndonjë idhull e bie përmbys para tij.

16 Me gjysmën e druve ndez zjarrin,

me gjysmën tjetër pjek mishin e ha,

e pjek mirë mishin e kënaqet.

Ngrohet mirë e thotë: «Sa mirë po ngrohem!

Po kënaqem me zjarrin».

17 Me ç’i ngel bën edhe ndonjë hyjni,

që ta ketë si idhull.

Përkulet para tij dhe e adhuron,

i lutet e i thotë:

«Shpëtomë, se ti je perëndia im».

18 As dinë e as kuptojnë,

sytë u janë verbuar, që të mos shohin

e zemra e tyre të mos kuptojë.

19 Askush nuk i thërret mendjes,

as dinë e as kuptojnë, që të thonë:

«Gjysmën e drurit e dogja në zjarr.

Poqa bukën mbi prush,

poqa mishin dhe e hëngra,

e me gjysmën tjetër bëra këtë fëlliqësi.

Para punës së drurit do të përkulem vallë?».

20 Ushqehet me hi,

e shmang nga udha zemra e tij e mashtruar,

nuk di të çlirohet e të thotë:

«A nuk është vallë gjë e rreme

kjo që mbaj në të djathtën time?».

Çlirimi i Zotit

21 Kujtoji këto, o Jakob,

edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im!

Unë të dhashë trajtë, shërbëtori im je ti,

nuk do të të harroj, o Izrael.

22 I fshiva shkeljet e tua si retë e zeza,

mëkatet e tua porsi mjegullën,

kthehu tek unë, sepse unë të shpengova.

23 Ngazëlloni, o qiej, se veproi Zoti,

gëzohuni, o thellësi të tokës,

merrjani këngës së lavdërimit, o male,

edhe ju, o pyje e çdo pemë e tyre,

se Zoti e shpengoi Jakobin

e në Izrael shfaqi lavdinë.

24 Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,

ai që të dha trajtë që në bark të nënës:

unë jam Zoti, ai që krijoi gjithçka,

që i vetëm i ndehu qiejt,

e tokën rrafsh e shtriu!

Kush, pra, qe me mua?

25 Unë i bëj të kota parashikimet e shortarëve,

magjistarët i bëj të marrë,

njerëzit e urtë i bëj të sprapsen,

dijen e tyre e kthej në marrëzi.

26 Unë e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim,

shestimet e të dërguarve të mi i përmbush,

Unë i them Jerusalemit se do të ketë banorë,

qyteteve të Judës se do të rindërtohen

e rrënojat e saj do të ringrihen.

27 Unë i them humnerës së detit: «Thahu,

lumenjtë e tu kam për t’i shterur».

28 Unë them për Kirin: «Ai është bariu im,

gjithçka që unë dua do ta çojë ai në vend».

Unë i them Jerusalemit: «Ndërtohu!»,

i them tempullit: «Ngriji sërish themelet!».