Isaia 43

Çlirimtari i Izraelit

E tani kështu thotë Zoti,

ai që të krijoi, o Jakob,

ai që të dha trajtë, o Izrael:

mos ki frikë, se të kam shpenguar,

të kam thirrur me emër, i imi je ti!

Kur të kalosh përmes ujërave, me ty do të jem,

kur të përshkosh lumenjtë, nuk do të mbytesh,

se do të kalosh nëpër zjarr e s’do të digjesh,

flaka ty nuk do të të përvëlojë,

se unë jam Zoti, Perëndia yt,

i shenjti i Izraelit, shpëtimtari yt.

Për ty dhashë si peng Egjiptin,

me ty këmbeva Kushin e Sebën.

Ti je i çmuar në sytë e mi,

ke vlerë e unë të dua.

I jap njerëzit në këmbim për ty,

popujt në këmbim të jetës sate.

Mos ki frikë, se unë jam me ty,

pasardhësit e tu do t’i kthej prej lindjes,

do t’ju mbledh bashkë prej perëndimit.

Veriut do t’i them: «Dorëzoma!»

e jugut: «Mos i mbaj!».

Ktheji bijtë e mi prej së largu,

bijat e mia prej skajeve të tokës,

tërë ata që thirren me emrin tim,

që i krijova për nderin tim,

që u dhashë trajtë e i bëra.

Nxirre jashtë popullin e verbër,

ndonëse ka sy,

popullin e shurdhër,

ndonëse ka veshë.

Gjithë kombet le të mblidhen bashkë,

popujt le të bashkohen!

Kush prej tyre e shpalli këtë

apo na i paratha gjërat e kaluara?

Le të sjellin, pra, dëshmi, për t’u përligjur,

le t’i dëgjojnë, që të thonë: «Është e vërtetë!».

10 Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti,

shërbëtorët e mi, që vetë i zgjodha,

që të më njihni e të besoni në mua,

që të kuptoni se unë jam.

Para meje nuk kishte asnjë perëndi

e pas meje tjetër s’do të ketë.

11 Unë e vetëm unë jam Zoti,

veç meje shpëtimtar tjetër s’ka.

12 Unë shpalla e unë shpëtova, unë parathashë

e perëndi tjetër mes jush s’kishte.

Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti,

e unë jam Perëndia.

13 Që prej amshimit unë jam po ai,

asgjë s’i shpëton dorës sime,

çka bëj unë, kush mund ta zhbëjë?

14 Kështu thotë Zoti,

shpenguesi yt, i shenjti i Izraelit:

Për hirin tënd do ta sulmoj Babiloninë

e do t’i rrëzoj të gjithë vargonjtë.

Brohoritjet e kaldenjve

në kujë do t’i kthej.

15 Unë jam Zoti, i shenjti juaj,

krijuesi i Izraelit, mbreti yt.

16 Kështu thotë Zoti, që udhë hapi në det,

shteg kalimi mes ujërave të furishme,

17 që bëri të dalin karroca lufte e kuaj,

ushtri e luftëtarë trima,

që u plandosën e më s’u ngritën,

që u shuan e si kandili u fikën:

18 Mos i kujtoni më ngjarjet e shkuara,

ndodhitë e qëmoçme mos i mendoni.

19 Ja, po bëj një gjë të re,

një gjë që tani po çel!

A nuk e shihni?

Udhën po hap përmes shkretëtirës,

lumenj në vendin e shkretë.

20 Egërsirat do të më japin lavdi,

çakejtë e këlyshët e strucit,

se ujin çova në shkretëtirë,

lumenjtë në vendin e shkretë,

që t’i jap për të pirë popullit tim,

të zgjedhurit tim,

21 popullit që e krijova për vete

e që do të shpallë lavdinë time.

22 Por ti nuk më thirre mua, o Jakob,

përkundrazi, u lodhe me mua, o Izrael.

23 S’më kushtove qengja si fli shkrumbimi,

me flitë e tua nuk më nderove,

s’t’u bëra barrë e s’të kërkova fli,

nuk të lodha e s’të kërkova temjan.

24 Për mua s’bleve me para kanellë,

nuk më ngope me dhjamin e flive të tua.

Përkundrazi, më rëndove me mëkatet e tua,

me paudhësitë e tua më lodhe.

25 Unë, unë jam ai që, për hirin tim,

i shlyej paudhësitë e tua,

e mëkatet e tua nuk i kujtoj.

26 Bëmë të kujtohem e le të bëjmë gjyq bashkë,

fol e përligj vetveten.

27 Ati yt i parë mëkatoi,

ndërmjetësit e tu u ngritën kundër meje.

28 Prandaj prijësit e shenjtërores i çnderova,

Jakobin ia dorëzova shfarosjes

dhe Izraelin poshtërimit.