Isaia 42

Shërbëtori i Zotit

Ja, shërbëtori im që unë e përkrah!

Ja, i zgjedhuri im që shpirtin ma kënaq!

Mbi të kam vënë shpirtin tim,

ai do t’u sjellë kombeve drejtësinë.

Nuk do të bërtasë, zërin s’do ta ngrejë,

s’do t’i dëgjohet zëri nëpër rrugë.

Kallamin e shkelur s’do ta thyejë,

kandilin që nxjerr tym s’do ta shuajë,

të drejtën me vërtetësi do ta shpallë.

S’do të meket, s’do të mposhtet,

derisa të ketë vënë drejtësi mbi tokë;

ujdhesat presin të mësojnë ligjin e tij.

Kështu thotë Zoti Perëndi,

ai që krijon qiejt e i ndeh,

ai që shtrin tokën me gjithçka prodhon,

që mbi tokë frymë i jep njeriut

e shpirt atyre që ecin mbi të:

unë, Zoti, të thirra në drejtësi

e për dore të kam kapur.

Të kam ruajtur e të kam caktuar

si besëlidhje për popullin,

si dritë për kombet,

për t’u hapur sytë të verbërve,

të burgosurit për t’i nxjerrë nga burgu,

prej shtëpisë së robërisë,

ata që rrinë në terr.

Unë jam Zoti, ky është emri im,

lavdinë time tjetërkujt s’ia jap,

as lavdërimet e mia idhujve të gdhendur.

Ngjarjet e mëparshme, ja, kanë ndodhur

e tani po shpall gjëra të reja.

Para se të ndodhin,

do t’jua bëj të njohura.

10 Këndojini Zotit një këngë të re,

jepini lavdi prej skajeve të dheut,

ju që lundroni në det e ju krijesat e detit,

ujdhesat me gjithë banorët e tyre.

11 Le ta ngrejë zërin shkretëtira e qytetet e saj,

bashkë me fshatrat e vendbanimeve të Kedarit,

banorët e Selaut le të brohorasin,

prej majave të maleve le të thërrasin.

12 Le t’i japin lavdi Zotit,

nëpër ujdhesa lavdërimin e tij të shpallin.

13 Si trim marshon Zoti,

porsi luftëtari e ndez zellin e tij,

me britma lëshon kushtrimin,

mbi armiqtë ngadhënjen.

14 Kam heshtur për shumë kohë,

kam mbyllur gojën, jam përmbajtur,

tani do të këlthas si gruaja kur lind,

do të gulçoj e do të turfulloj njëherësh.

15 Do të shkretoj male e kodra,

bimësinë e tyre do ta vyshk,

lumenjtë në ujdhesa do t’i kthej

e pellgjet do t’i thaj.

16 Të verbërve do t’u prij në udhë të panjohura,

shtigjeve që s’i njohin do t’i drejtoj,

errësirën para tyre në dritë do ta kthej,

udhët e shtrembra të drejta do t’i bëj.

Do t’i bëj këto gjëra për ta

e nuk do t’i braktis.

17 Do të kthehen të mbuluar me turp

ata që në idhujt besojnë,

ata që shtatoreve të derdhura u thonë:

«Ju jeni perënditë tona».

18 Dëgjoni, o të shurdhër!

O të verbër, hapni sytë e shihni!

19 Kush është i verbër, në mos shërbëtori im,

apo i shurdhër si lajmëtari që kam dërguar?

Kush është i verbër si i zgjedhuri im

apo i shurdhër si shërbëtori i Zotit?

20 Shumë gjëra pa, por s’u kushtoi vëmendje,

veshët hapur i pati, por nuk dëgjoi.

21 I pëlqeu Zotit, për hir të drejtësisë së tij,

ta madhërojë ligjin e ta bëjë të lavdishëm.

22 Një popull i plaçkitur e i vjedhur është ky,

të gjithë të prangosur nëpër gropa,

nëpër burgje i kanë mbyllur.

Janë bërë pre e askush nuk i çliron,

janë bërë plaçkë e askush s’thotë: «Ktheji!».

23 Kush prej jush po i vë vesh kësaj?

Kush prej jush do t’i kushtojë vëmendje

e do të dëgjojë për të ardhmen?

24 Kush e bëri Jakobin pre të plaçkitësve?

Kush e la Izraelin në dorë të kusarëve?

A nuk qe Zoti, kundër të cilit mëkatuam?

E, pra, udhëve të tij nuk deshën të ecnin,

ligjit të tij nuk iu bindën.

25 Furinë e zemërimit të tij mbi ta e derdhi,

bashkë me tmerrin e luftës.

I rrethoi zjarri nga të gjitha anët,

por as që e kuptuan,

i përpinë flakët,

por vesh nuk morën.