Isaia 41

Përkrahësi i Izraelit

Le të heshtin para meje ishujt,

le ta përtërijnë fuqinë popujt,

le të afrohen e të flasin,

le të shkojmë bashkë për të bërë gjyq.

Kush e ngriti, pra, atë prej lindjes,

kush e thirri të ngrihet për të bërë drejtësi?

Para tij i dorëzon kombet,

para tij i rrëzon mbretërit.

Shpata e tij i kthen në pluhur,

harku i tij, në kashtë të hapërdarë.

I ndjek pas e i kalon pa pësuar gjë,

nëpër shtigje, ku këmba e tij s’ka shkelur kurrë.

Kush e bëri? Kush e kreu këtë?

Kush i shpall breznitë që në fillim?

Unë, Zoti, jam i pari.

Unë do të jem edhe me të fundit.

Shohin ujdhesat e dridhen,

skajet e tokës tmerrohen;

po afrohen, po mbërrijnë!

Secili ndihmon të afërtin,

vëllait të vet i thotë: «Bëhu i fortë!».

Mjeshtri i jep zemër argjendarit,

bakërpunuesi, farkëtarit me kudhër.

«Mirë është», i thotë për ngjitjen,

dhe me gozhdë e forcon,

që të mos tundet vendit.

Po ti, o Izrael, shërbëtori im,

ti, o Jakob, i zgjedhuri im,

fara e Abrahamit, mikut tim,

ty, që nga skajet e tokës të mora,

të thirra prej viseve të largëta e të thashë:

«Ti je shërbëtori im, ty të zgjodha

e poshtë nuk të kam hedhur».

10 Mos u tremb, se unë jam me ty,

mos u tmerro, se unë jam Perëndia yt.

Unë të jap forcë, unë të ndihmoj,

me të djathtën e drejtësisë sime të përkrah.

11 Ja, do të turpërohen e do të skuqen

gjithë sa janë të zemëruar me ty,

do të kthehen në hiç, do të zhbihen

ata që luftojnë kundër teje.

12 Do t’i kërkosh, por nuk do t’i gjesh

ata që të kundërshtojnë,

do të jenë si të mos ishin, do të asgjësohen,

ata që të sulmojnë.

13 Se unë jam Zoti, Perëndia yt,

unë të marr për dore e të them:

«Mos ki frikë, unë jam ndihma jote.

14 Mos u tremb, o krimb i Jakobit, o burra të Izraelit,

se unë jam ndihma juaj»,

kumton Zoti, shpëtimtari yt,

i shenjti i Izraelit.

15 Ja tek po të bëj shirëse të mprehtë,

të re e me dhëmbëza të mprehta.

Do t’i shish malet e do t’i copëtosh,

kodrat do t’i kthesh në byk.

16 Do t’i hedhësh lart e do t’i marrë era,

stuhia do t’i shpërndajë.

E ti do të gëzosh në Zotin,

me të shenjtin e Izraelit do të lavdërohesh.

17 Skamnorët e nevojtarët kërkojnë ujë, por ujë nuk ka,

nga etja gjuha e tyre thahet.

Unë, Zoti, do t’u gjendem,

unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t’i braktis.

18 Lumenj do të shpërthej prej kodrave të zhveshura,

burime ujërash në mes të luginave,

shkretëtirën do ta bëj pellg ujërash,

tokën e thatë gurrë përrenjsh.

19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,

akacien, mërsinën e ullirin,

në shkretëtirë qiparisin do ta vë,

bashkë me vidhin e me bredhin.

20 Kështu, do të shohin e do ta dinë,

do ta kuptojnë e do ta marrin vesh tok,

se këtë e bëri dora e Zotit,

këtë e krijoi i shenjti i Izraelit.

21 «Paraqiteni çështjen tuaj», thotë Zoti,

«Parashtrojini arsyetimet tuaja», thotë mbreti i Jakobit.

22 Të afrohen e të na tregojnë ç’do të ndodhë,

të na tregojnë gjërat që kaluan,

që t’i shqyrtojmë në zemër e të dimë përfundimin,

ose të na shpallin gjërat që do të vijnë.

23 Na tregoni ç’do të ndodhë në të ardhmen,

që ta pranojmë se jeni perëndi.

Bëni diçka të mirë apo diçka të keqe,

që të mahnitemi e të shohim njëri-tjetrin me habi.

24 Ja, ju s’jeni askush,

vepra juaj s’vlen aspak,

i neveritshëm kush ju zgjedh.

25 E kam ngritur dikë prej veriut e ai po vjen,

prej atje ku lind dielli emrin tim ai thërret,

do t’i shkelë prijësit porsi baltën,

si poçari që shtyp argjilën.

26 Kush e shpalli këtë që në krye, që ta dinim,

apo prej kohëve të moçme, që të thoshim: «E drejtë».

Jo, askush nuk e tha e askush nuk e shpalli.

Jo, askush nuk i dëgjoi fjalët e tua.

27 I pari isha që i thashë Sionit: «Ja, ja tek janë!».

Lajmëtarin unë ia dërgova Jerusalemit.

28 Pashë, por nuk ishte askush,

mes tyre s’kishte asnjë që të jepte këshillë

apo që ta pyesja e të më përgjigjej.

29 Ja, të gjithë këta janë veç kotësi,

veprat e tyre krejt pa vlerë,

idhujt e tyre erë e zbrazët.