Isaia 40

Ngushëllim për Izraelin

Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim,

thotë Perëndia juaj.

Flitini zemrës së Jerusalemit,

i shpallni atij,

se mori fund thirrja nën armë,

paudhësia e tij u shlye,

se dyfish u ndëshkua prej dorës së Zotit

për gjithë mëkatet e tij.

Ja, një zë thërret:

«Bëni gati në shkretëtirë

një udhë për Zotin,

rrafshoni nëpër stepë

një shteg për Perëndinë tonë.

Le të ngrihet lart çdo luginë,

le të ulet poshtë çdo mal e kodër,

rruga dredha-dredha le të drejtohet,

rrëpira le të bëhet e rrafshët.

Lavdia e Zotit do të shfaqet

e atëherë çdo qenie njëherësh do të shohë,

se foli vetë goja e Zotit».

Ja, një zë thotë: «Shpall!».

E pyeta: «Çfarë të shpall?».

«Se çdo njeri është si bari,

e mirësia e tij si lulja e fushës.

Bari thahet e lulja vyshket,

kur fryma e Zotit puhat mbi të,

e vërtet, populli është si bari.

Thahet bari, vyshket lulja,

por fjala e Perëndisë tonë

mbetet në amshim».

Ngjitu mbi një mal të lartë,

ti që i sjell lajmin Sionit!

Ngrije sa më fort zërin,

ti që i sjell lajmin Jerusalemit!

Ngrije zërin e mos ki frikë,

qyteteve të Judës thuaju:

«Ja, Perëndia juaj!».

10 Ja, Zoti Perëndi, po vjen me fuqi,

e krahu i tij do të sundojë.

Ja, me vete sjell shpagimin,

në prani të tij është shpërblimi.

11 Si bariu do ta kullotë kopenë e tij,

me krahun e vet do t’i mbledhë qengjat,

në gji do t’i mbajë,

deleve pjellake me kujdes do t’u prijë.

Madhështia e Zotit

12 Kush e ka matur me shuplakë detin

apo me pëllëmbë qiellin?

Kush e mati me masë pluhurin e tokës

apo i vuri në peshore malet e në kandar kodrat?

13 Kush e drejtoi shpirtin e Perëndisë

apo i dha ndonjëherë këshilla?

14 Me kë u këshillua e mësoi prej tij

apo kush ia mësoi shtegun e drejtësisë?

Kush i dha atij dije

apo i tregoi udhën e mençurisë?

15 Ja, kombet janë si pika e ujit në kovë,

çmohen sa pluhuri në peshore.

Ja, ujdhesat i ngre

si të ishin kokërr pluhuri.

16 Libani s’do të mjaftonte për të ndezur zjarrin,

kafshët e tij s’do të dilnin për flinë e shkrumbimit.

17 Kombet mbarë s’janë asgjë para tij,

si një hiç e kotësi vlerësohen prej tij.

18 Me kë, pra, ta krahasoni Perëndinë?

Ç’shëmbëllesë do të vini përballë tij?

19 Idhullin e shkrin farkëtari,

me fletë ari e vesh argjendari,

vargje prej argjendi i derdh përreth.

20 Më i varfri zgjedh dru që s’kalbet

e kërkon mandej një mjeshtër të ditur,

që idhullin atij t’ia punojë,

një idhull që nuk lëviz.

21 A nuk e ditkeni vallë?

A nuk e paskeni dëgjuar?

A nuk ju është thënë qëmoti?

Themelimin e tokës a s’e paskeni kuptuar?

22 Ai rri ulur mbi kubenë e tokës,

banorët e saj si karkaleca duken,

ai i shpalos qiejt porsi vel,

i shtrin si tendë për të banuar.

23 Ai i kthen princat në hiç,

të kotë i bën gjyqtarët e tokës.

24 Të porsambjellë, të porsahedhur në tokë,

pa zënë rrënjë ende kërcelli,

ai u fryn e ata thahen,

stuhia i rrëmben porsi kashtën.

25 «Me kë do të më krahasoni?», pyet i Shenjti.

«Me kë vallë qenkam i ngjashëm?».

26 Ngrini sytë lart e shikoni!

Kush i krijoi çka shihni?

Ai që i radhit të gjitha si ushtri,

që e thërret secilin me emër.

E madhe është fuqia e tij,

e vrullshme forca e tij,

prandaj dhe nuk mungon

asnjë prej tyre.

27 Pse flet kështu, o Jakob?

Përse thua, o Izrael:

«Udha ime është e fshehur për Zotin,

Perëndia im s’kujdeset për të drejtën time?».

28 A thua nuk e ditke vallë?

A thua s’e paske dëgjuar?

Zoti është Perëndia i amshimit,

ai i krijoi skajet e tokës.

As lodhet, as mundohet,

dija e tij është e pagjurmueshme.

29 Ai i jep fuqi të lodhurit,

të këputurit ia shton fuqitë.

30 Të rinjtë lodhen e këputen,

më të rriturit pengohen e bien.

31 Por ata që shpresojnë te Zoti

përtërihen në fuqi,

marrin krahë si të shqiponjës,

vrapojnë e nuk lodhen,

ecin e nuk këputen.