Isaia 37

Isaia i jep zemër Ezekisë

Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore e shkoi në tempullin e ZotitMandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin, dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore. Ata i thanë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, se fëmijët janë gati për të dalë nga barku i nënës, por ajo nuk ka fuqi t’i lindë. Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve, që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për tepricën që ka mbetur!”». Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia, ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë. Ja, unë do t’i dërgoj një shpirt e, sapo të marrë vesh një lajm, ai do të kthehet në vendin e tij. Atje do të bjerë prej shpatës”».

Tjetër kërcënim i Sankeribit

Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun. Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha: 10 «Kështu do t’i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë. 11 Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve e sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh? 12 A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar. 13 Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës e Avahut?».

Lutja e Ezekisë

14 Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe, pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit15 Mandej iu lut Zotit e tha: 16 «O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin e tokën. 17 Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë. 18 Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar të gjitha vendet e tokat e tyre. 19 Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan. 20 E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut se vetëm ti je Zoti».

Përgjigja e Zotit përmes Isaisë

21 Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: më je lutur për Sankeribin, mbretin e Asirisë. 22 Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij:

të përbuz, të përqesh

virgjëresha, bija e Sionit!

Prapa teje kokën tund

bija e Jerusalemit.

23 Me kë je tallur, kë ke fyer?

Kundër kujt zërin ke ngritur

e tërë mburrje e ke parë?

Kundër të shenjtit të Izraelit!

24 Përmes shërbëtorëve të tu

ti ke fyer Zotin

e me vete ke thënë:

“Me karrocat e mia të shumta

majë maleve u ngjita,

lartësive më të thella të Libanit.

Më të lartat cedra ia preva

dhe pyjet më të bukura.

Mbërrita në skutat e tij më të larta,

në pyjet e tij më të dendura.

25 Hapa puse e piva ujë,

me shputat e këmbëve të mia

mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”.

26 Por, a nuk ke dëgjuar vallë?

Prej kohësh të lashta këtë e caktova,

që nga ditët e hershme e përftova,

e tash po e zbatoj.

Ty të caktova të sjellësh rrënim

e qytetet e fortifikuara

në pirgje gërmadhash t’i kthesh.

27 Banorët e tyre u tmerruan,

duart iu mpinë e u drodhën.

U bënë si bari i fushës

e si bari i lëndinave,

si bari i pullazeve,

që thahet pa mbirë mirë.

28 Unë e di mirë kur rri,

kur hyn e kur del.

Di edhe tërbimin

që kundër meje ke.

29 Je ndezur kundër meje

e krenaria jote në vesh më erdhi,

prandaj në hundë unazën do të ta vë

e në gojë frerin e hekurt,

që pas të të kthej

udhës nga ke ardhur.

30 E për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre. 31 Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t’i lëshojnë rrënjët thellë në tokë e degët do t’u mbushen plot fryte. 32 Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit.

33 Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t’i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij. 34 Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti35 Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete e për hir të Davidit, shërbëtorit tim».

Humbja dhe vdekja e Sankeribit

36 Atëherë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish. 37 Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë. 38 E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku e Sarecerin, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri.