Isaia 34

Gjykimi i Edomit

Afrohuni, o kombe, e dëgjoni,

ju, o popuj, mbani vesh!

Le të dëgjojë toka e gjithçka në të,

bota e gjithçka që ajo prodhon!

Zemërimi i Zotit shfreu mbi gjithë kombet,

furia e tij mbi gjithë ushtritë e tyre,

shkatërrimin e tyre e ka vendosur,

i ka caktuar për shfarosje.

Të vrarët e tyre do të hidhen përtokë,

era e qelbur e kufomave do të përhapet,

malet do të qullen me gjakun e tyre.

Tërë ushtria e qiellit do të shfaroset,

qiejt si rrotulla do të mblidhen,

gjithë ushtria e tyre do të bjerë,

siç bien gjethet e hardhisë,

si gjethet e thara të fikut.

Vringëllon shpata ime në qiell,

e ja, përmbi Edomin do të bjerë,

mbi popullin që caktova për shfarosje,

gjykimin për të kryer.

Shpata e Zotit kullon gjak,

plot dhjamë është mëlmyer,

me gjak qengjash e kecash,

me dhjamë veshkash dashi,

se flija e Zotit po kushtohet në Bocrah,

kërdi e madhe në vendin e Edomit.

Bashkë me ta po theren buaj,

mëzetërit bashkë me demat,

me gjakun e tyre po dehet toka,

dheu i tyre po mëlmehet me dhjamë.

Se është dita e hakmarrjes së Zotit,

viti i shpagimit për hir të Sionit.

Përrenjtë e Edomit do të kthehen në katran,

dheu i tij do të bëhet squfur,

katran i ndezur toka e tij.

10 S’do të shuhet as ditën, as natën,

tymi përherë do të dalë prej tij,

i shkretë do të mbetet brez pas brezi,

kurrë më nëpër të s’do të kalojë kush.

11 Zotër të tij do të jenë huta e iriqi,

kukuvajka e korbi në të do të banojnë.

Mbi të Zoti do të shtrijë litarin e rrënimit,

bashkë me plumbçin e zbrazëtisë.

12 Fisnikë atje s’do të ketë më,

që mbretëri atë ta quajnë,

të gjithë princat do të jenë zhdukur.

13 Në fortesat e tij do të mbijnë ferra,

në kullat e tij hithra e driza,

strofull për çakejtë do të bëhet,

fole për këlyshët e strucit.

14 Macet e egra do të takohen me hienat,

dhitë e egra do të thërrasin njëra-tjetrën,

atje do të bëjnë fole egërsirat e natës,

aty do të gjejnë strehë.

15 Atje do të ngrejë folenë shigjetulla,

vezët e veta aty do t’i shtrojë,

do t’i çelë e do t’i rritë nën hijen e saj

e atje do të mblidhen bashkë hutat.

16 Kërkoni në librin e Zotit e lexoni:

«Asnjë prej atyre kafshëve s’do të mungojë,

asnjërës s’do t’i mungojë shoqja e vet.

E ka urdhëruar Zoti me gojën e vet,

vetë shpirti i tij i ka bashkuar.

17 Ai vetë hodhi short për to,

dora e tij e ndau tokën me matës.

Ato do ta trashëgojnë në amshim,

brez pas brezi në të do të banojnë».