Isaia 26

Kënga e të çliruarve

Atë ditë në tokën e Judës

kjo këngë do të këndohet:

qytetin e kemi të fortë,

të ndërtuar për shpëtimin tonë,

me mure e me bedena.

Hapini dyert,

që të hyjë kombi i drejtë,

kombi që qëndron besnik.

Synimet e tij nuk luhaten

dhe ti e mban në paqe,

e mban në paqe,

se ka shpresuar te ti.

Kini përherë shpresë te Zoti,

se ZotiZoti

është shkëmbi i amshuar.

Ai i përuli ata që rrinin lart,

qytezën që ndodhej në lartësi e rrëzoi,

e plandosi përtokë, në pluhur e hodhi.

E shkelin me këmbë,

e shkelmojnë këmbët e skamnorëve,

e shtypin hapat e të varfërve.

Udha e të drejtit është e sheshtë;

ti ia sheshon udhën të drejtit, o i drejtë!

Kemi pritur udhën e gjykimeve të tua, o Zot,

shpirti ynë ka dëshiruar emrin e kujtimin tënd!

Të dëshiron shpirti im natën,

fryma ime përbrenda të kërkon.

Kur të zbatohen gjykimet e tua në tokë,

banorët e botës do të mësojnë drejtësinë.

10 Po t’i jepet mëshirë të paudhit,

drejtësinë s’ka për ta mësuar,

në një vend të ndershëm

të keqen do të bëjë,

madhështinë e Zotit

s’ka për ta parë.

11 Dora jote është ngritur, o Zot,

por ata s’e shohin.

Do të shohin zellin tënd për popullit tënd

e do të turpërohen,

zjarri i armiqve të tu

ka për t’i përpirë.

12 Zot, ti do të na japësh paqen,

se çdo vepër tonën, ti e ke kryer.

13 Zot, Perëndia ynë,

të tjerë sundues, e jo ti, na kanë sunduar,

por ne kujtojmë vetëm emrin tënd.

14 Të vdekurit nuk do të jetojnë më,

hijet më nuk do të ngrihen,

prandaj ti i ndëshkove e i zhbive,

kujtimin e tyre e shkatërrove.

15 E ke shtuar kombin, o Zot,

kombin e ke shtuar;

u bëre i lavdishëm,

tërë kufijtë e vendit i zgjerove.

16 Ty, o Zot, të kërkuan në fatkeqësi,

ty t’u përgjëruan, kur i ndëshkoje.

17 Si shtatzëna, kur i vjen koha për të lindur,

kur përpëlitet e bërtet nga dhimbjet,

ashtu kemi qenë para teje, o Zot.

18 Ishim ngjizur, kishim dhimbje,

si të ishim gati për të lindur,

por pollëm erë, tokës shpëtim s’i sollëm

e as banorë të tjerë botës nuk i lindëm.

19 Por të vdekurit e tu do të jetojnë sërish,

kufomat do të ringjallen.

Ngrihuni e brohoritni,

o ju që dergjeni në pluhur!

Se vesa jote është vesë drite

dhe tokën e hijeve ti e sjell në jetë.

20 Përpara, o populli im,

hyr në dhomat e tua!

Mbylle derën pas teje

e fshihu për pak kohë,

sa të kalojë zemërimi.

21 Se, ja, Zoti po del prej banesës,

për të ndëshkuar paudhësinë

që bënë kundër tij banorët e tokës.

Do ta nxjerrë në shesh toka gjakun e derdhur

e më s’do t’i fshehë të vrarët e saj.