Isaia 25

Himn falënderimi

Zot, ti je Perëndia im,

ty të madhëroj, emrin tënd përlëvdoj,

se i përmbushe qëllimet e tua të mrekullueshme,

që nga lashtësia ato janë fort të besueshme.

Qytetin e ktheve në pirg gërmadhash,

qytezën e fortifikuar në rrënojë.

Kështjella e të huajve s’është më qytet

e s’do të rindërtohet më kurrë.

Prandaj populli i fortë të lavdëron,

qyteti i kombeve të tmerrshme të ka frikë.

Ti ke qenë streha e skamnorit,

vendstrehimi i të varfrit në pikëllim,

streha kundër stuhisë,

hija kundër të nxehtit,

sepse furia e gjakatarëve

është si stuhia që përplaset në mur,

është si i nxehti në tokë të djegur.

Poteren e të huajve do ta nënshtrosh,

si të nxehtin me hijen e reve,

këngën e gjakatarëve do ta fashitësh.

Zoti i ushtrive do të bëjë mbi këtë mal

një gosti me mish të majmë për të gjithë popujt,

një gosti me verëra të vjetra,

plot me mish të majmë e me palcë,

me verëra të vjetra e të zgjedhura.

Mbi këtë mal do ta shqyejë velin,

që fytyrën e gjithë popujve mbulonte,

velin e shtrirë mbi të gjitha kombet.

Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen,

Zoti Perëndi do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë,

do t’ia heqë qortimin popullit të tij në mbarë tokën,

se kështu ka thënë Zoti.

«Ja, ky është Perëndia ynë!», do të thuhet atë ditë.

«Tek ai kemi shpresuar e ai na shpëtoi.

Ky është Zoti, tek i cili kemi shpresuar,

le të gëzojmë e të ngazëllejmë për shpëtimin e tij».

10 Ja, dora e Zotit

mbi këtë mal do të prehet!

Nën të Moabi do të dërrmohet,

siç shtypet kashta në gropë të plehut.

11 Në mes të tij duart do t’i shtrijë,

siç i shtrin notari kur noton,

krenaria e tij do të përulet,

me gjithë rropatjen e duarve të tij.

12 Fortesat e mureve të tua mbrojtëse

ai do t’i shkatërrojë,

do t’i rrafshojë, do t’i hedhë përdhe,

pluhur do t’i bëjë.