Isaia 24

Zoti gjykon tokën

Ja, Zoti po e shkatërron tokën,

të shkretë po e bën,

faqen e saj po e shëmton,

banorët po ia hapërdan.

Do t’i ndodhë e njëjta gjë

popullit e priftit,

shërbëtorit e zotërisë,

shërbëtores e zonjës,

blerësit e shitësit,

huadhënësit e huamarrësit,

atij që jep e atij që merr.

Toka do të shkatërrohet krejt,

pa mëshirë do të plaçkitet,

se këtë fjalë e ka thënë vetë Zoti.

Në zi është toka, lëngon ajo,

po venitet bota, po lëngon,

lëngojnë edhe fisnikët e popullit të dheut.

Prej banorëve të saj është ndotur toka,

sepse ligjet i kanë shkelur,

rregullat i kanë shpërfillur,

besëlidhjen e amshuar e kanë thyer.

Prandaj e ka përpirë tokën mallkimi

e banorët e saj vuajnë ndëshkimin.

Prandaj po shuhen banorët e tokës

e kanë mbetur kaq pak njerëz.

Vajton mushti, lëngon vreshti,

rënkojnë gjithë sa u gëzonte zemra.

Reshti hareja e dajres,

u ndal brohoritja e kremtuesve,

ëmbëlsia e harpës pushoi.

S’pinë më verë duke kënduar,

e hidhur është pija për atë që e pi.

10 Qyteti i rrënuar u shkatërrua krejt,

u mbyll çdo shtëpi, që të mos hyjë kush.

11 Ankohen nëpër sheshe se nuk ka verë,

gëzimi është errur,

hareja e tokës është zhdukur.

12 Në qytet ka mbetur veç rrënimi,

porta është thyer e është copëtuar.

13 Se kështu do të ndodhë në tokë,

midis popujve do të ngjajë,

sikurse me ullirin kur shkundet,

siç mblidhen kokrrat pas vjeljes.

14 Zërin do ta ngrenë,

për madhështinë e Zotit do të këndojnë,

nga deti do të brohorasin.

15 Prandaj lavdërojeni Zotin në lindje,

në ujdhesat e detit emrin e Zotit, Perëndisë së Izraelit.

16 Në skajet e tokës dëgjojmë lavde.

«Lavdi të drejtit!», thonë.

Por unë thashë: «I gjori unë!

I shkreti unë! I mjeri unë!».

Të pabesët kanë thyer besën,

të pabesët kanë vepruar me pabesi.

17 Tmerri, gropa e laku

valëviten mbi ty, o banor i tokës!

18 Kush do të shpëtojë nga tmerri,

do të bjerë në gropë

dhe atë që do të dalë nga gropa,

do ta zërë laku,

se do të hapen kanatet e qiellit

e do të tranden themelet e tokës.

19 Thellë do të çahet toka,

dheu do të kriset krejt,

bota do të trandet fort.

20 Do të dridhet pareshtur si i dehuri,

do të lëkundet si kasollja.

Rëndë peshon mbi të paudhësia,

do të bjerë e s’do të ngrihet më.

21 Atë ditë do t’i ndëshkojë Zoti

ushtritë qiellore atje lart në lartësi

e mbretërit e tokës këtu mbi dhe.

22 Do të mblidhen bashkë,

do të burgosen në gropë,

në burg do të mbyllen

e pas shumë ditësh do të ndëshkohen.

23 Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli,

se në malin e Sionit e në Jerusalem

Zoti i ushtrive do të mbretërojë,

dhe lavdia e tij do të shkëlqejë para pleqësisë.