Isaia 22

Kundër Jerusalemit

Profeci për luginën e Vegimit:

ç’të ka ndodhur, pra,

që ke hipur i gjithi mbi çati,

ty, o qytet plot zhurmë,

qytet i trazuar, qytet plot gëzim?

Të vdekurit e tu s’i vrau shpata,

në luftë ata nuk ranë.

Të gjithë prijësit e tu ia mbathën,

u zunë robër e hark nuk kishin.

Ç’kishte mbetur te ti u kap,

u robërua pa shkuar larg.

Prandaj po ju them: «Largojini sytë nga unë,

do të qaj plot hidhërim.

E mos kërkoni të më ngushëlloni

për shkatërrimin e bijës së popullit tim».

Se kjo ditë e Zotit, Zotit të ushtrive,

është ditë tmerri, shkatërrimi e zvetënimi.

Në luginën e Vegimit u shemb muri,

britma për ndihmë dëgjohen maleve.

Elami rroku kukurën,

me qerre e me kalorës,

Kiri e nxori shqytin.

Luginat e tua më të mira

me qerre e me kalorës u mbushën.

Përballë portës janë rreshtuar

e Judës i është hequr mburoja.

Atë ditë i hodhët sytë

nga armët e Pallatit të Pyllit.

Patë sa të shumta ishin të çarat e mureve

në qytetin e Davidit

dhe mblodhët ujërat

e pellgut të poshtëm.

10 Numëruat shtëpitë e Jerusalemit

e shembët shtëpi për të përforcuar muret.

11 Mes dy mureve ndërtuat një ujëmbajtës,

për të mbajtur ujin e pellgut të vjetër,

por nuk i hodhët sytë nga ai që e kishte bërë,

nuk e patë atë që e sendërgjoi qëmoti.

12 Ju thirri atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive,

që të qanit e të vajtonit,

që kokat tuaja t’i rruanit

e me grathore të ngjisheshit.

13 Por jo! Gëzonit e dëfrenit,

thernit qe e hanit dhen,

hanit mish e pinit verë.

«Të hamë e të pimë», thoshit,

«Se nesër do të vdesim».

14 Por Zoti i ushtrive më ka thënë në vesh:

«Kjo paudhësi nuk do të shlyhet,

deri kur të vdisni»,

thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

Shkarkimi i Shebnaut

15 Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive:

Ngrihu e shko tek oborrtari Shebna

që është kujdestari i pallatit.

16 «Ç’do ti këtu?», thuaji.

«Kë ke tëndin këtu,

që je duke hapur varr?».

Ke latuar në lartësi varrin tënd,

ke gdhendur në shkëmb banesën tënde.

17 Por ja, Zoti do të të vërvitë me dhunë, o njeri,

e do të të mbërthejë mirë.

18 Do të të mbështjellë mirë e mirë si lëmshin,

me të dyja duart do të të vërvitë si topin në fushë,

atje ke për të vdekur,

atje do të marrin fund qerret e tua të lavdishme,

o turpi i shtëpisë së zotërinjve të tu!

19 Do të të dëbojë nga detyra,

do të të plandosë nga rangu.

20 Atë ditë do të thërras shërbëtorin tim,

Eliakimin, birin e Hilkiahut.

21 Do ta vesh me petkun tënd,

me brezin tënd do ta ngjesh,

pushtetin tënd do t’ia jap atij.

Do të jetë atë për banorët e Jerusalemit

e për shtëpinë e Judës.

22 Mbi supe do t’i vë çelësin e shtëpisë së Davidit;

ai do të çelë e askush s’do të mbyllë,

ai do të mbyllë e askush s’do të çelë.

23 Do ta ngul si kunjin në tokë të fortë,

froni i tij do të jetë lavdi për shtëpinë e atit të tij.

24 Prej tij do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij,

filizat e rinj e tërë degët,

të gjitha enët e vogla,

nga kupat deri te qypat e çdo lloji.

25 Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive,

do të hiqet kunji i ngulur në tokë të fortë,

do të këputet e do të bjerë,

gjithçka e varur tek ai do të copëtohet,

se kështu ka folur Zoti.