Isaia 20

Kundër Egjiptit dhe Etiopisë

Në vitin kur Sargoni, mbreti i Asirisë, dërgoi në Ashdod një kryekomandant, ai e sulmoi Ashdodin dhe e pushtoi. Në atë kohë Zoti foli përmes Isaisë, birit të Amosit, e tha: «Shko, hiq grathoren nga ijët e zbath sandalet nga këmbët». Dhe ashtu bëri, eci lakuriq e zbathur. Atëherë Zoti tha: «Ashtu si shërbëtori im, Isaia, eci lakuriq e këmbëzbathur për tre vjet, si shenjë e si paralajmërim për Egjiptin e për Kushin, ashtu do t’i degdisë edhe mbreti i Asirisë robërit e Egjiptit, bashkë me të dëbuarit e Kushit, të rinj e pleq, lakuriq, të zbathur e me vithet jashtë, për turp të Egjiptit. Atëherë do të tmerrohen e do të turpërohen për shkak të Kushit, shpresës së tyre, e për shkak të Egjiptit, krenarisë së tyre. Atë ditë banorët e këtij bregdeti do të thonë: “Ja, kjo ishte shpresa jonë, vendi ku u strehuam për të gjetur ndihmë e për të shpëtuar prej mbretit të Asirisë. Po tani, si do të shpëtojmë?”».