Isaia 19

Profeci për Egjiptin

Profeci për Egjiptin:

ja Zoti tek kalëron vrik përmbi re

dhe në Egjipt ja tek hyn!

Dridhen para tij idhujt e Egjiptit,

egjiptianëve u shtrëngon zemra në kraharor.

Do t’i nxit egjiptianët kundër egjiptianëve,

vëllai do të luftojë kundër vëllait

e i afërti kundër të afërtit,

qyteti kundër qytetit

e mbretëria kundër mbretërisë.

Egjiptianëve do t’u drithërohet shpirti,

synimet do t’ua pështjelloj.

Do të këshillohen me idhuj e me shortarë,

me shpirtra të vdekurish e me magjistarë.

Do ta lë Egjiptin në dorë sunduesish mizorë,

një mbret i ashpër do të sundojë mbi ta,

kumton Zoti, Zoti i ushtrive.

Ujërat e detit do të thahen,

lumi do të shterë e do të soset.

Përrenjtë do të qelben erë,

rrëketë e Egjiptit do të shteren,

do të mbesin pa ujë,

kallami e xunkthi do të fishken.

Xunkthi i lumit, që rritet brigjeve të tij,

bashkë me gjithë arat e mbjella përgjatë tij,

do të vyshken e do të thahen

e më nuk do të jenë.

Peshkatarët do të qajnë e do të vajtojnë,

të gjithë ata që hedhin grepin në lumë,

ata që hedhin rrjetat në ujë

do t’i zërë mjerimi.

Do të turpërohen punuesit e lirit,

lënurësit dhe endësit e pambukut.

10 Themelet e tij do të tronditen

e të gjithë mëditësve do t’u këputet shpirti.

11 Sa të marrë janë prijësit e Coanit!

Këshilltarët më të urtë të faraonit

këshilla të marra u dhanë.

Si mund t’i thoni faraonit:

«Pasardhës i të urtëve jam unë,

bir i mbretërve të hershëm?».

12 Ku janë, pra, të urtët e tu?

Le të ta thonë, atëherë,

le të ta bëjnë me dije,

se ç’ka vendosur t’i bëjë Egjiptit

Zoti i ushtrive.

13 Janë marrosur prijësit e Coanit,

gabohen prijësit e Memfisite.

Egjiptin e kanë mashtruar

krerët e fiseve të tij.

14 Zoti ka dërguar mes tyre

një frymë që i ka pështjelluar,

prandaj e kanë mashtruar Egjiptin

në çdo gjë që ka bërë,

ashtu siç zhgërryhet i dehuri

në të vjellat e veta.

15 Egjipti s’do të mund të bëjë kurrgjë,

as koka e as bishti i tij,

as palma e as xunkthi.

16 Atë ditë egjiptianët do të bëhen si gra, do të dridhen e do të tmerrohen prej vringëllimës së dorës së Zotit të ushtrive që do të ngrihet kundër tyre. 17 Toka e Judës do të kthehet në tmerr për Egjiptin. Kushdo që do ta kujtojë, do të dridhet nga frika, për shkak të asaj që Zoti i ushtrive ka vendosur të bëjë kundër tij. 18 Atë ditë do të jenë pesë qytete në tokën e Egjipti që do të flasin gjuhën e Kanaanit e që do të betohen për Zotin e ushtrive. Njëri prej atyre qyteteve do të quhet Ir Heresë19 Atë ditë, në mes të tokës së Egjiptit do të ketë një altar kushtuar Zotit dhe një përmendore për Zotin do të jetë në kufi. 20 Kjo do të jetë për të gjithë tokën e Egjiptit shenjë dhe dëshmi për Zotin e ushtrive. Do t’i thërrasin Zotit, kur të jenë të shtypur, e ai do t’u dërgojë një shpëtimtar që do t’i mbrojë e do t’i çlirojë. 21 Zoti do t’i dëftehet Egjiptit dhe atë ditë egjiptianët do ta pranojnë Zotin. Do ta adhurojnë, do t’i kushtojnë fli e dhurata, do të zotohen para Zotit e do t’i përmbushin zotimet. 22 Zoti do ta godasë rëndë Egjiptin, por edhe do ta shërojë. Egjiptianët do të kthehen te Zoti. Ai do t’i dëgjojë lutjet e tyre e do t’i shërojë. 23 Atë ditë do të ketë një rrugë të gjerë nga Egjipti në Asiri. Asirianët do të shkojnë në Egjipt dhe egjiptianët në Asiri. Egjiptianët do t’i shërbejnë Zotit bashkë me asirianët. 24 Atë ditë, Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin e me Asirinë dhe do të jetë bekim për tokën. 25 Zoti i ushtrive do ta bekojë tokën e do të thotë: «Bekuar qoftë Egjipti, populli im, Asiria, vepra e duarve të mia, dhe Izraeli, trashëgimia ime».


 e19.13 he. Nofit

 ë19.18 he. Qyteti i Shkatërrimit; të tjerë: Qyteti i Diellit