Isaia 18

Profeci kundër Etiopisë

Mjerë ti, o tokë me flatra zukatëse,

përtej lumenjve të Kushit,

që nëpër det dërgon lajmëtarë.

Lundrojnë ata me lundra xunkthi.

Shkoni shpejt, o lajmëtarë,

drejt popullit shtatlartë e lëkurëbutë,

drejt popullit që ia kanë frikën këtu e kudo,

popull shumë i fortë e ngadhënjimtar

që tokën lumenjtë ia çajnë.

Të gjithë ju, o banorë të botës,

e ju që mbi tokë banoni,

kur të jetë ngritur flamuri mbi male, shikoni,

kur të dëgjohet tingulli i borisë, dëgjoni!

Se kështu më tha Zoti:

«I qetë do të vrojtoj nga banesa ime,

si i nxehti verbues në dritë,

porsi reja e vesës në vapën e korrjes».

Se para korrjes, sapo të ketë mbaruar lulëzimi

e vilet e rrushit të jenë pjekur mirë,

me kizë do t’ia presë shermendet,

do t’ia këpusë lastarët e do t’ia flakë.

Të gjithë do t’u lihen shpendëve të malit,

do t’u lihen egërsirave të tokës.

Në vendin e tyre do ta kalojnë verën grabitqarët,

egërsirat e tokës do të kalojnë dimrin.

Do t’i sjellin në atë kohë Zotit të ushtrive

dhurata prej një populli shtatlartë e lëkurëbutë,

prej një populli që ia kanë frikën këtu e kudo,

popull shumë i fortë e ngadhënjimtar

që tokën lumenjtë ia çajnë.

Do t’ia sjellin në vendin e emrit të Zotit të ushtrive,

në malin e Sionit.