Isaia 15

Shkatërrimi i Moabit

Profeci për Moabin:

natën u rrënua Ar Moabi,

krejt u shkatërrua;

natën u rrënua Kir Moabi,

krejt u shkatërrua!

Shkuan në tempull për të qarë,

Diboni u ngjit te faltorja në vend të lartë,

për Nebonë e për Medebën vajton Moabi,

të gjitha kokat janë rruar,

të gjitha mjekrat janë prerë.

Nëpër udhët e tij janë veshur me grathore,

nëpër pullazet e nëpër sheshet e tij

të gjithë kanë filluar kujën,

të gjithë po shkrihen në vaj.

Heshboni dhe Elealehu po vënë gjëmën,

vajtimi i tyre dëgjohet deri në Jahac,

prandaj këlthasin luftëtarët e Moabit,

u dridhet shpirti nga frika.

Zemra ime vajton për Moabin,

të ikurit e tij kanë mbërritur deri në Coar

deri në Eglat Shlishijah,

përpjetës së Luhitit ngjiten e vajtojnë,

rrugës së Horonaimit kujë therëse lëshojnë.

Ja, ujërat e Nimrimit shterën,

bimësia u tha, bari u zhbi,

gjelbërim nuk ka më.

Prandaj, pasuritë e të mirat që mblodhën

po i mbartin përtej përroit të Shelgjeve.

U përhap britma në viset e Moabit,

vajtimi i tij deri në Eglaim,

gjëma e tij deri në Ber Elim.

Ujërat e Dimonit janë mbushur me gjak.

Por do t’ia shtoj të këqijat Dimonit:

një luan për të ikurit e Moabit

për ata që do të kenë mbetur në vend.