Isaia 14

Çlirimi i Izraelit

Por Zoti do të ketë dhembshuri për Jakobin e do ta zgjedhë përsëri Izraelin dhe në tokën e tyre sërish do t’i vendosë. Me ta do të bashkohen edhe të huajt e do të lidhen me shtëpinë e Jakobit. Popuj të tjerë do t’i marrin izraelitët e do t’i çojnë në vendin e tyre. Atëherë shtëpia e Izraelit do t’i marrë si trashëgimi në tokën e Zotit e do t’i bëjë shërbëtorë e shërbëtore për vete. Ata që i patën robëruar do të bëhen robërit e tyre dhe izraelitët do të sundojnë mbi ata që dikur i sundonin. Kur Zoti të të ketë çliruar prej vuajtjes, prej mjerimit e prej skllavërisë së rëndë, nën zgjedhën e së cilës ishe, do të thuash këtë fjalë shpotitëse kundër mbretit të Babilonisë:

Si mbaroi kështu tirani?

Si mori fund shtypja?

Zoti e theu shkopin e të paudhëve,

skeptrin e tiranëve e copëtoi,

që i godiste popujt me furi,

që i gjuante pa pushim,

që me zemërim i nënshtronte kombet,

që i përndiqte pa mëshirë.

E qetë prehet toka mbarë,

brohorasin kudo me gëzim.

Për ty gëzojnë edhe bredhat,

gëzojnë cedrat e Libanit:

«Që atëherë kur u shove ti,

s’erdhi më kush për të na prerë!».

Edhe skëterra poshtë për ty u vu në lëvizje,

ardhjen tënde duke pritur,

për ty i ngriti hijet e të vdekurve,

të gjithë ata që dikur sundonin tokën,

prej froneve të tyre i bëri të ngrihen

gjithë mbretërit e kombeve.

10 Të gjithë do të marrin fjalën.

«U këpute edhe ti si ne», do të thonë,

«Edhe ti u bëre njëlloj si ne».

11 Në skëterrë u plandos madhëria jote,

bashkë me tingëllimën e harpave të tua,

krimbat do të kesh tani për shtrojë,

vemjet për mbulesë.

12 Po si re prej qiellit, o dritësjellës,

ti, o biri i agimit?

U përplase përdhe edhe ti,

ti që mbi kombet ngadhënjeje.

13 Në zemër ti thoshe: «Në qiell kam për t’u ngjitur,

fronin mbi yjet e Perëndisë do ta ngre.

Do të ulem mbi malin e tubimit,

atje në skaj të veriut.

14 Do të ngjitem përsipër reve,

do të bëhem si i Tejlarti».

15 Por, ja që je plandosur në skëterrë,

në skajin më të thellë të gropës.

16 Kush të sheh, sytë t’i ngul,

me vëmendje të vështron:

«A nuk është ky ai që trandte tokën,

që i bënte mbretëritë të dridheshin?

17 Ai që botën shkretëtirë e bëri,

që qytetet ia rrafshoi

e të burgosurit kurrë nuk i liroi?».

18 Tërë mbretërit e kombeve,

të gjithë prehen me lavdi,

secili në varrin e vet.

19 Por ty të kanë flakur jashtë varrit,

si atë degën e kalbur,

i mbështjellë me të therurit,

me të shpuarit nga shpata,

të hedhur mbi pllakat e varrit,

si kufomë shkelur me këmbë.

20 Ti nuk do të varrosesh si ata,

se vendin tënd e ke shkretuar,

e popullin tënd e ke shfarosur.

Fara e keqbërësve

nuk do të përmendet më kurrë.

21 Bëni gati shfarosjen për bijtë e tij,

për paudhësinë e etërve të tyre,

që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën,

që të mos mbushin më faqen e dheut.

22 Do të ngrihem kundër tyre, kumton Zoti i ushtrive,

Babilonisë do t’ia shfaros emrin,

bashkë me ç’t’i ketë mbetur, me farë e me fis,

kumton Zoti,

23 do ta bëj fole iriqësh,

do ta kthej në moçal.

Do ta fshij me fshesë shkatërrimi,

kumton Zoti i ushtrive.

24 Zoti i ushtrive është betuar:

përnjëmend, siç e mendova,

ashtu do të ndodhë,

siç e shestova, ashtu do të jetë.

25 Do ta mposht Asirinë në tokën time,

në malet e mia do ta shkel me këmbë.

Zgjedha e saj do të hiqet prej tyre,

barra e saj do t’u bjerë prej shpatullave.

26 Ky është vendimi i marrë kundër mbarë tokës,

ky është krahu i shtrirë mbi mbarë kombet!

27 Sepse kështu vendosi Zoti i ushtrive,

kush mund të kundërshtojë?

Krahu i tij është shtrirë tashmë,

kush mund t’ia kthejë pas?

Profeci kundër filistinëve

28 Vitin që vdiq mbreti Ahaz, u bë kjo profeci:

29 mos u gëzo ti, o Filiste e tërë,

se u thye shkopi që të rrihte.

Nga rrënja e gjarprit do të dalë nepërka

e pjella e tij do të jetë dragua fluturues.

30 Të parëlindurit e skamnorëve do të kenë ç’të hanë

e të varfrit do të pushojnë në qetësi.

Me uri do ta zhbij rrënjën tënde

e ç’të ketë mbetur prej teje do të vritet.

31 Vajto, o portë! Jepja gjëmës, o qytet!

Dridhu ti, o Filiste e tërë,

se po vjen tymi nga veriu

e nga radhët e tij s’ikën kush.

32 E ç’përgjigje do t’u japin

lajmëtarëve të kombeve?

«Sionin e ka themeluar Zoti.

Në të do të gjejnë strehim

të mjerët e popullit të tij».