Isaia 13

Profeci kundër Babilonisë

Profecia kundër Babilonisë, që pa Isaia, biri i Amosit.

Mbi një mal të zhveshur ngrini flamurin,

lëshojuni kushtrimin e bëjuani me dorë,

që të hyjnë nëpër dyert e fisnikëve.

Të shenjtëruarve të mi u kam dhënë urdhër

e trimat i kam thirrur,

që të vënë në jetë zemërimin tim,

ata që krenohen me madhështinë time.

Një zë turme nëpër male,

i ngjan një morie të shumtë,

ushtojnë mbretëritë,

kombet e bëra tok;

Zoti i ushtrive po mbledh

ushtrinë për të bërë luftë!

Vijnë nga një vend i largët,

nga skajet e qiellit vijnë

Zoti dhe armët e zemërimit të tij,

tokën mbarë për të shkatërruar.

Vajtoni, se po afron dita e Zotit,

si shkatërrim prej të gjithëpushtetshmit po vjen!

Prandaj të gjitha duart po ngathen,

gjithë njerëzit po i lëshon zemra.

Do të tmerrohen, do të dridhen,

dhimbjet do t’i pushtojnë,

do të përpëliten si gruaja që lind,

me tmerr do të shohin njëri-tjetrin,

fytyrat do t’u përflaken.

Ja, po vjen dita e Zotit,

mizore dhe e furishme,

plot zemërim përvëlues,

për ta kthyer vendin në shkretëtirë,

mëkatarët për t’ia zhbirë.

10 Yjet e qiellit, bashkë me yjësitë,

më nuk do të ndriçojnë,

sapo të lindë, dielli do të erret

e hëna dritë më s’do të bëjë.

11 Do ta ndëshkoj botën për ligësinë e saj

e të paudhët për fajet e tyre,

do t’i jap fund mburrjes së kryelartëve,

do ta hedh poshtë kryeneçësinë e gjakatarëve.

12 Njeriu do të jetë më i rrallë se ari i kulluar,

njerëzia më e rrallë se ari i Ofirit.

13 Do ta bëj qiellin të trandet

e toka do të tundet nga vendi,

prej zemërimit të Zotit të ushtrive

ditën e shpërthimit të furisë së tij.

14 Do të ndodhë si me sutën që e ndjekin pas,

si me delet që kanë mbetur pa bari.

Gjithkush do të kthehet te populli i vet,

gjithkush do t’ia mbathë drejt vendit të vet.

15 Kush kapet, do të tejshpohet,

kush zihet, do të bjerë nga shpata.

16 Fëmijët do t’ua copëtojnë para syve,

shtëpitë do t’ua plaçkitin,

gratë do t’ua dhunojnë.

17 Ja, kundër tyre do të ngre medët,

të cilët argjendin nuk e çmojnë

e arin nuk e dëshirojnë.

18 Me hark do t’ua vrasin të rinjtë,

për foshnjat në bark s’do të kenë mëshirë,

as për fëmijët s’do të duan t’ia dinë.

19 Babilonia, më e bukura ndër mbretëritë,

lavdia e krenarisë së kaldenjve,

si Sodoma e Gomorra do të bëhet,

kur ta përmbysë Perëndia.

20 Në të nuk do të rrijë më kush,

e pabanuar do të jetë brez pas brezi,

atje arabët nuk do të ngrenë më tenda

e barinjtë s’do të ndalen me bagëtitë.

21 Veç egërsirat e shkretëtirës do të rrinë atje,

shtëpitë e tyre do të mbushen me huta,

zogjtë e strucit do të gjejnë atje strehë,

dhitë e egra do të hedhin valle.

22 Në banesat e saj do të hingëllijnë hienat,

çakejtë në pallatet e saj të shtrenjta.

Koha e saj s’do të vonojë të vijë,

ditët e saj nuk kanë për të zgjatur.