Isaia 12

Këngë falënderimi

Atë ditë do të thuash:

«Të falënderoj, o Zot,

ty që ishe i zemëruar me mua,

se zemërimi yt ndaj meje u qetësua

e ti më ngushëllove.

Ja, Perëndia është shpëtimi im,

besoj e nuk kam frikë.

Fuqia ime e forca ime është Zoti,

Zoti është shpëtimi im.

Me gëzim do të mbushni ujë

prej burimeve të shpëtimit».

Atë ditë do të thoni:

«Falënderoni Zotin,

thërrisni emrin e tij,

shpallni ndër popuj veprat e tij,

kumtoni madhështinë e emrit të tij!

Këndojini Zotit, se ka bërë mrekulli,

le ta marrë vesh toka mbarë!

Ngazëlleni e dëfreni, o banorë të Sionit,

se i madh është mes jush i shenjti i Izraelit».