Isaia 1

Vegimi, që Isaia, biri i Amosit, pa për Judën dhe për Jerusalemin në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës.

Populli që braktisi Zotin

Dëgjoni, o qiej, mba vesh, o tokë,

se po flet Zoti:

fëmijët i mëkova e i rrita,

por ata u ngritën kundër meje.

Kau e njeh të zotin

e gomari grazhdin e zotërisë së tij,

por Izraeli nuk di asgjë,

populli im nuk kupton.

Mjerë kombi mëkatar,

populli i ngarkuar me faje,

fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur!

Kanë braktisur Zotin,

kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit,

shpinën i kanë kthyer.

Përse doni t’ju godas edhe më?

Përse vazhdoni të ngrini krye?

Çdo kokë dergjet e sëmurë,

çdo zemër lëngon nga dhimbja.

Nga shputa e këmbës deri te koka

nuk ka përbrenda asgjë të shëndetshme,

veç blana e vurrata, plagë të hapura,

që s’janë pastruar e s’janë lidhur,

as nuk janë zbutur me vaj.

Toka juaj është shkretuar,

qytetet tuaja janë shkrumbuar,

arat jua hanë të huajt sy për sy,

djerrinë e shkretuar prej të huajve.

Ka mbetur bija e Sionit,

si kasollja në mes të vreshtit,

si kolibja në arën me tranguj,

porsi qyteti i rrethuar.

Sikur Zoti i ushtrive

të mos na kishte lënë një tepricë të vogël,

si Sodoma do të ishim,

Gomorrës do t’i përngjanim.

10 Dëgjojeni fjalën e Zotit,

o prijës të Sodomës!

Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë,

o popull i Gomorrës!

11 Ç’më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë Zoti:

jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh

e me dhjamë bagëtish të majme.

Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më.

12 Kur vini të paraqiteni para meje,

kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia?

13 Mos sillni më fli të kota,

temjanin e kam neveri,

hënat e reja, të shtunat e të kremtet,

kuvendet e paudhësitë

nuk i përtyp dot.

14 Hënat e reja e të kremtet tuaja

i urrej me gjithë shpirt,

më janë bërë barrë

e nuk i duroj dot.

15 Kur i shtrini duart drejt meje,

unë i largoj sytë prej jush,

edhe kur luteni gjatë e gjatë,

as që ju dëgjoj,

se duart i keni tërë gjak.

16 Lahuni, pastrohuni,

hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja,

reshtni së bëri të keqen!

17 Mësoni të bëni të mirën,

kërkoni drejtësinë,

ndihmoni të shtypurin,

jepini drejtësi jetimit,

mbroni çështjen e të vesë.

18 Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë Zoti.

Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe,

do të bëhen të bardha si dëbora,

edhe po të jetë të kuqe si purpuri,

do të bëhen porsi leshi.

19 Nëse doni të më dëgjoni,

do të hani të mirat e tokës,

20 por nëse nuk pranoni e krye ngrini,

do t’ju përpijë shpata.

Kështu ka thënë goja e Zotit.

21 Si u kthye në lavire qyteza besnike

që ishte plot mirësi?

Në të banonte dikur drejtësia

e tani vrasësit.

22 Argjendi të është kthyer në zgjyrë,

vera t’u hollua me ujë.

23 Prijësit e tu kanë ngritur krye,

me kusarë shoqërohen.

Të gjithë lakmojë dhuratat,

rendin veç pas përfitimit.

Nuk i japin të drejtën jetimit,

çështja e të vesë s’arrin para tyre.

24 Prandaj kështu thotë Zoti,

Zoti i ushtrive, i forti i Izraelit:

Mjerë! Do të kënaqem mbi kundërshtarët e mi,

do të marr hak kundër armiqve të mi.

25 Do ta kthej dorën kundër teje,

me finjë do të ta heq zgjyrën,

plumbin prej teje do ta zhduk krejt.

26 Do t’i kthej gjyqtarët e tu si më parë,

këshilltarët e tu siç ishte në fillim.

Atëherë do të quhesh «Qyteti i Drejtësisë»,

do të quhesh «Qyteti Besnik».

27 Sioni do të shpengohet me të drejtën,

ata që pendohen në të, me drejtësinë.

28 Të paudhët e mëkatarët do të shkatërrohen njëherësh,

ata që braktisën Zotin do të marrin fund.

29 Atëherë do t’ju vijë turp prej lisave,

nën të cilët me dëshirë keni adhuruar,

do të skuqeni prej kopshteve

që vetë i patët zgjedhur.

30 Se do të bëheni si lisi me gjethe të fishkura,

porsi kopshti që nuk ka pikë uji.

31 I forti do të bëhet si kallamishtja,

vepra e tij porsi shkëndija,

do të digjen që të dy

e askush s’ka për t’i shuar.