Hebrenjve 8

Kryeprifti i besëlidhjes më të mirë

Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.

Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t’u tregua në mal. Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.

Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha:

ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti,

kur do të bëj një besëlidhje të re

me shtëpinë e Izraelit

e me shtëpinë e Judës.

Ajo nuk do të jetë si besëlidhja

që bëra me etërit e tyre,

ditën kur i mora për dore

për t’i nxjerrë nga Egjipti.

Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime,

prandaj unë i braktisa, thotë Zoti.

10 Besëlidhja që do të lidh

me shtëpinë e Izraelit

pas atyre ditëve, thotë Zoti,

është kjo:

unë do t’i shtie ligjet e mia

në mendjen e tyre

e do t’i shkruaj

në zemrat e tyre.

Unë do të jem Perëndia i tyre

e ata do të jenë populli im.

11 Askush nuk do të mësojë më tjetrin

dhe vëllait të vet

askush nuk do t’i thotë më:

«Njih Zotin!»,

se do të më njohin të gjithë,

nga më i vogli te i madhi.

12 Unë do të jem i mëshirshëm

me paudhësitë e tyre,

mëkatet e tyre

nuk do t’i kujtoj më.

13 Kur Perëndia tha «besëlidhja e re», ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.