Hebrenjve 4

Përderisa premtimi për të hyrë në prehjen e Perëndisë vazhdon të jetë i vlefshëm, le të kemi frikë se mos ndonjëri nga ju mbetet jashtë. Edhe ne e kemi dëgjuar ungjillin, sikurse edhe ata që ishin në shkretëtirë, por atyre nuk u vlejti fjala që dëgjuan, pasi nuk e dëgjuan me besim. Ne që besuam do të hyjmë në prehjen e Perëndisë, për të cilën ai ka thënë:

dhe kështu u përbetova në zemërimin tim:

nuk kanë për të hyrë

në prehjen time.

Ai e tha këtë, ndonëse veprat e tij kishin përfunduar që me krijimin e botës. Ndërsa për ditën e shtatë ka thënë diku: Perëndia pushoi ditën e shtatë, pasi i kreu të gjitha veprat e tij. Po për të njëjtën gjë shton: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. Ata që e dëgjuan në fillim ungjillin nuk hynë në prehjen e Perëndisë për shkak të mosbindjes. Por, meqenëse mbeten edhe të tjerë për të hyrë në të, Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur «sot», kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit:

sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,

mos i ngurtësoni zemrat tuaja.

Pra, nëse Jozuehu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër. Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë. 10 Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia. 11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes.

12 Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës. 13 Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t’i japim llogari.

Jezui, kryeprifti i madh

14 Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiej, Jezuin, Birin e Perëndisë. 15 Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi. 16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.