Hebrenjve 13

Jeta që i pëlqen Perëndisë

Dashuria vëllazërore le të mbetet!

Mikpritjen mos e harroni, sepse nëpërmjet saj, disa, pa e ditur, pritën engjëj në shtëpi.

Kujtoni të burgosurit, si të ishit edhe ju të burgosur me ta. Kujtoni edhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju jeni njerëz me trup si ata.

Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse kurvarët dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore do t’i gjykojë Perëndia.

Sjellja juaj të mos ndikohet nga lakmia për para. Le t’ju mjaftojnë ato që keni, se Perëndia ka thënë: nuk do të të lë vetëm e as nuk do të të braktis. Kështu mund të themi me guxim:

Zoti është ndihma ime

dhe nuk do të kem frikë.

Ç’mund të më bëjë njeriu?

Kujtoni krerët tuaj që ju shpallën fjalën e Perëndisë. Shikoni si e jetuan jetën dhe shkërbeni besimin e tyre.

Jezu Krishti është gjithnjë i njëjti, dje, sot e në amshim. Mos rendni pas mësimeve të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra të forcohet me hir e jo me të ngrëna. Ata që vepruan kështu nuk patën asnjë dobi. 10 Ne kemi një altar, nga i cili nuk kanë të drejtë të hanë ata që e adhurojnë Perëndinë në tendë.

11 Kryeprifti çon në shenjtërore gjak kafshësh, të cilin e kushton për mëkatet, ndërsa vetë kafshët digjen jashtë vendbanimit. 12 Prandaj edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të tij. 13 Kështu, le të dalim edhe ne jashtë vendbanimit e të shkojmë drejt tij, duke duruar të njëjtin poshtërim. 14 Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.

15 Nëpërmjet Jezuit, le t’i kushtojmë gjithnjë Perëndisë flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij. 16 Mos harroni të bëni bamirësi dhe të ndani me të tjerët ato që keni, sepse të tilla flijime i pëlqejnë Perëndisë.

17 Bindjuni krerëve tuaj dhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë. Kështu, ata do ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.

18 Lutuni për ne! Ne jemi të bindur se e kemi ndërgjegjen e pastër, sepse në çdo gjë dëshirojmë të sillemi mirë. 19 Po ju kërkoj në veçanti të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.

Përshëndetjet e fundit

20 Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë, Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar, 21 ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!

22 Ju lutem, vëllezër, dëgjojini me kujdes këto fjalë ngushëllimi, sepse ju shkrova shkurt.

23 E morët vesh që vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse ai mbërrin së shpejti këtu, do të vij t’ju shoh bashkë me të.

24 Përshëndesni të gjithë krerët tuaj dhe të gjithë të shenjtët.

Ju përshëndesin vëllezërit nga Italia.

25 Hiri i Perëndisë qoftë me të gjithë ju!